Google ADS

Kryeministria deklarohet për takimin Kurti-Ulutaș

19:13 | 3 Shkurt 2024
R J

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaș, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend. Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore, kryeministri tha se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre.

Kryeministri foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova EURO-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian.

Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri.

Mirëqenia dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet i Qeverisë, prandaj edhe do të përkujdeset që qytetarët të mos ndikohen negativisht nga vendimet e institucioneve. Në këtë drejtim çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet dhe adresohet me shpejtësi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme