Kryeministri prezanton arritjet e qeverisë së tij

19:11 | 8 Qershor 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përmbledhur në një status në Facebook disa nga sukseset e qeverisë së tij.

Sipas Haradinajt, për këta muaj të qeverisjes, është ndryshuar kursi i punës në sistemin gjyqësor, qeveria nuk ka afera korruptive, 4% është rritja e përgjithshme e pagave dhe disa suksese të tjera. “Ndryshimi ka nisur!

Për këta muaj qeverisjeje, kemi ndryshuar kursin e punës në sistemin gjyqësor, duke aktivizuar të gjithë mekanizmat, për të shënuar rezultate konkrete. Dhe rezultate janë shënuar!

Raportet nga vendi tregojnë se në sistemin gjyqësor dhe në të gjitha hallkat e tij ka progres sa i përket zgjidhjes së rasteve.

Qeverisja aktuale nuk ka asnjë aferë korruptive.

Qeverisja aktuale ka arritur që të kaloi vendime, tejet të rëndësishme sa i përket përafrimit të vendit me agjendën europiane.

Demarkacioni është hap tjetër i rëndësishëm, i pasuar me pakon e ligjeve, që përafrojnë vendin me legjislacionin e BE-së.

Ky është vit i sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftimit të korrupsionit, ku do të ketë Zero tolerancë në këtë fushë.

Kosova është në rrugë të mirë për të marrë liberalizimin e vizave dhe kjo falë përkushtimit tonë dhe punës së deritashme.

Kosova nuk ndryshon për një ditë, por ndryshimi ka nisur dhe ne do i qëndrojmë pas.

Vendimet e marra në këta 8 muaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve tanë.

4 përqind është rritja e përgjithshme e pagave dhe çdo ditë po punohet që kjo të ndryshojë në trend pozitiv.

Është hera e parë që kontrata dhe vendimet bëhen publike menjëherë pas marrjes së tyre, duke shprehur vendosmërinë për transparencë.

Dhe është hera e parë që kategori të caktuara futen në skemën e pagesave, siç është ajo e grave të dhunuara gjatë luftës.

Këto janë vetëm disa shembuj të punës që po e bëjmë dhe rezultatet e së cilës po shihen çdo ditë.

Në interpelancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, përveç kritikave konstruktive janë thënë shumë të pavërteta nga skeptikët dhe ata që nuk duan të besojnë që Kosova mund të ndryshojë për të mirë, për ata që kanë pasë rastin të bëjnë punë të mirë, por që kanë zgjedhë të mos punojnë.

Qeveria do të jetë e hapur për kritika, se vetëm kështu mund ta përmirësojmë punën tonë, por nuk mund të toleroj të pavërteta që bëhen në dëm të të gjithë neve, që bëhen në dëm të Kosovës dhe që mund ta pengojnë rrugën e saj jetike, rrugën euro-atlantike” shkruan kryeministri në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme