Kryeministri ndryshon deklaratat për Specialen varësisht nga mediet

08:33 | 2 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryeministri Ramush Haradinaj, ende nuk e ka një qëndrim për Gjykatën Speciale. Kjo pasi që në disa intervista thotë se duhet të pajtohemi me këtë fakt ndërsa në disa të tjera jo. Kjo pasi që në intervistë në “Zona e Konfliktit” të Deutsche Welle, me gazetarin e njohur, Tim Sebastian dy ditë më parë tha se Specialja nuk mund të zhbëhet ndërsa në mediet e Kosovës, Haradinaj për këtë temë jep qëndrime më të prera dhe thotë se nuk do të bëhet me ambasadorët por me deputetët.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë ka ripërsëritur se nuk i frikësohet ngritjes së mundshme të aktakuzës kundër tij nga Gjykata Speciale.

“Çka më bën Gjykata? Ma jep një pushim. Shkoj e pushoj, kënaqna. Pesë pare nuk i jap për atë punë”, është shprehur ai.

Haradinaj ka thënë se nuk ka bërë “asnjë veprim gjatë kësaj kohe që e çnderon Kosovën”, raporton Gazeta Express.

Teksa ka folur për iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, Haradinaj ka thënë se nuk do të dilte asnjëherë kundër tyre.

“Nuk dal kundër deputetëve të vendit, vetëm sa për t’ua bërë qejfin do ambasadorëve”, ka deklaruar ai.

“Le ta harrojë gjithkush atë. Nuk është ashtu koncepti i shtetit. Për mua, mirë e keq, deputetët janë të mitë, janë të zgjedhurit e popullit. Mund të gabojnë, por i bartin përgjegjësitë”, ka thënë kryeministri kosovar.

“S’ka kush që s’gabon. Gaboj edhe unë, mund të gaboj shpesh. Të gjithë gabojmë”, ka vlerësuar Haradinaj

Shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj mohon që po “çortohet” nga miqtë ndërkombëtarë përmes vonesave në dhënien e vizave.

Ai tashmë mori atë britanike dhe është në pritje të vizës amerikane.

Një situatë e tillë erdhi pikërisht kur Haradinaj u dorëzua para iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Nuk është kjo një qasje ndaj Kosovës. Pyetni Amerikën a ma japin vizën a jo dhe çka mendojnë për mua. Asnjë vërejtje nuk ka pas në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Haradinaj pranon se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk janë të mira dhe kjo për shumë çështje.

“S’janë të mira, ata na kanë kritiku në vazhdimësi për mungesë të luftës ndaj korrupsionit, për qeverisje më të mirë, kanë të drejtë në plotë kritika të tyre”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri tha se është në dijeni në një fushate të shtetit amerikan dhe BE-së ndaj medieve për përkrahje karshi tërheqjes së iniciativës për Gjykatën Speciale.

“Jam në rregull me këtë, është diçka e hapur. Në raste të caktuara, këta tonët, ekziston një shprehje që thotë t’u desht me të puth, të kafshon. E kanë tepru me këtë kampanjën e tyre”, përfundoi Haradinaj.

Tërheqjes së inicativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i ka dalë në mbështetje edhe shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

“Për mua është e kuptueshme që Presidenti, në bazë të hierarkisë institucionale, se është i pari i vendit, edhe ta komunikojë një qëndrim që duhet të tërhiqet kjo iniciativë, ose duhet të ndalet më tutje kjo iniciativë. Ka kuptim për mua”, ka thënë Haradinaj në “Rubikon” të KTV’së.

Haradinaj ka vlerësuar se ndoshta ky rast është mesazh që të mos merren vendime të shpejtuara.

I pyetur se si do të veprojë Qeveria, meqë iniciativa aktualisht është në duart e saj, Haradinaj është përgjigjur: “Vendimi në procedurë është një aspekt. Ne e kemi në Qeveri. Ajo është në procedurë të rregullt. Ne i obligohemi procedurave në këto raste”.

“Nëse ka një vendim politik, që bie kërkesa, atëherë edhe për Qeverinë ndryshon gjendja. Atëherë ne duhet ta heqim nga procedimi i mëtejmë”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka folur edhe për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi – ka lënë hapësirë që marrëveshja e demarkacionit të ndryshohet.

Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për vonesat në procesin e liberalizimit. Haradinaj fajin për këtë ia ka hedhur Kuvendit të Kosovës.

Për temat e rëndësishme të vendit ka bërë takime me të huajt  edhe nënkryetari i Kuvendit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur në takim senatorin italian, Ludovico Sonego, i cili shoqërohej nga ambasadori i Italisë në vend, Piero Cristoforo Sardi.

Nënkryetari Haliti dhe senatori Sonego diskutuan për zhvillimet aktuale në vendin tonë dhe temat që proekupojnë spektrin politik dhe opinionin publik në përgjithësi në Kosovë, si: demarkacioni me Malin e Zi, sundimi i ligjit, liberalizimi i vizave, si dhe nevoja që ka Kosova për investime italiane, bën të ditur një njoftim nga Kuvendi.

” U diskutua po ashtu, edhe Gjykatën Speciale. Nënkryetari Haliti përsëriti qëndrimin e tij kundër shfuqizimit të kësaj gjykate, me bindje se përballja në Gjykatën Speciale është në interes të Kosovës. Ai tha se nuk duhet lejuar që Kosovës t’ia dizajnojnë fotografinë kundërshtarët e saj”, thuhet në njoftim.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduam që në të ardhmen të dyja vendet të bashkëpunojnë edhe më ngushtë në të gjitha fushat./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme