Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në manifestimin e “Roma Versitas Kosova”, për nder të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ku edhe u bë ndarja e çmimeve për kontributin jetësor të personaliteteve të komunitetit rom.
Me këtë rast, kryeministri shprehu kënaqësinë që sot ishin bashkë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve, por edhe për të shprehur mirënjohje ndaj personaliteteve e komunitetit rom që kanë kontribuar për Kosovën.
“Çdo ditë, të gjithë ne, përfshirë mua, jemi dëshmitarë të arritjeve të komunitetit rom. Kam vizituar biblioteka me libra në gjuhën rome. Kam takuar poetë e akademikë të komunitetit, që pasurojnë e promovojnë letërsinë rome. Isha pjesë e ceremonisë së betimit të oficerëve rom, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në Ditën e Hapur të organizuar nga Qeveria, në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri, për të frymëzuar vajza dhe djem të komunitetit për karrierë në këtë sektor të rëndësishëm për shtetin dhe për të gjithë neve, kam bashkëbiseduar me shumë të rinj me vullnet e me përkushtim për karrierë e kontribut për sigurinë e vendit”, u shpreh kryeministri.
Teksa përmendi dhe listoi gjithë nismat që janë ndërmarrë për komunitetin rom, kryeministri theksoi se qasja jonë është shumë dimensionale, sepse duam që krahas gëzimit të të drejtave të barabarta, të tilla të jenë edhe mundësitë për secilën e secilin qytetar të Republikës.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri shtoi se përkrahja jonë për komunitetin rom në Kosovë është më e madhe se kurrë, siç është edhe kontributi i komunitetit rom në shoqërinë tonë. “Sikurse këtu sot, uroj që kontributi juaj të njihet gjerësisht dhe që në vazhdimësi të kemi, e të kemi bashkë, të arritura të reja, e suksese të tjera që na bëjnë të gjithëve pa dallim krenar”, u shpreh ai.
Lista e fituesve të çmimeve për kontribut jetësor për personalitetet e komunitetit rom në Kosovë:
· Roma Education Fund, për kontribut në shkollim
· Bashkim Ibishi, për kontribut në avokim dhe të drejta të njeriut
· Daut Qylangjiu, për kontribut në media dhe komunikim masiv
· Osman Osmani, për kontribut në arsimin fillore dhe të mesëm
· Isak Skenderi, për kontribut në arsim, punësim, strehim dhe dialog politik
· Shpresa Agushi, për kontribut në integrim gjinor dhe barazi gjinore
· Kujtim Paçaku, për kontribut në gjuhën rome dhe shkrim-lexim
· Nexhim Menekshe, për kontribut në kulturë dhe teatër
· Ibrahim Elshani, për kontribut në gjuhën rome dhe shkrim-lexim
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Është kënaqësi që sot jemi bashkë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve, por edhe për të shprehur mirënjohje ndaj personaliteteve të komunitetit rom që kanë kontribuar në Kosovë.
Çdo ditë, të gjithë ne, përfshirë mua, jemi dëshmitarë të arritjeve të komunitetit rom. Kam vizituar biblioteka me libra në gjuhën rome. Kam takuar poetë e akademikë të komunitetit, që pasurojnë e promovojnë letërsinë rome. Isha pjesë e ceremonisë së betimit të oficerëve rom, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në Ditën e Hapur të organizuar nga Qeveria, në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri, për të frymëzuar vajza dhe djem të komunitetit për karrierë në këtë sektor të rëndësishëm për shtetin dhe për të gjithë neve, kam bashkëbiseduar me shumë të rinj me vullnet e me përkushtim për karrierë e kontribut për sigurinë e vendit.
Javën e kaluar kishim një tryezë të rrumbullakët me studentët e komunitetit rom të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Kisha kënaqësinë t’i dëgjoj nga afër studentët e studentet, sikurse studentin e parë rom prej Kosovës që po studion në doktoraturë, dhe autoren e librit “Meloditë e Rezistencës” që tregon historitë e grave që kontribuuan në kulturën rome mes viteve të 70-ta dhe të 90-ta. Kemi parë shkëlqimin e aktorit rom teksa luante një rol në dramën prekëse për holokaustin ndaj romëve. Talente e përkushtim mbresëlënës në atë grup.
Qeveria jonë po angazhohet për edukimin dhe zhvillimin profesional të nxënësve dhe studentëve. Krahas investimeve në arsim për të gjithë fëmijët dhe nxënësit, kemi krijuar mundësi veçanërisht për komunitetet jo shumicë. Për këtë, për qendrat mësimore kemi ndarë 200,000 euro në vitin 2023, dhe të njëjtën shumë në vitin paraprak 2022. Ndërkaq, për nxënësit e shkollave të mesme kemi ofruar mbështetje nëpërmjet 500 bursave në vit. Përveç që kemi siguruar arsim publik universitar falas për të gjithë studentët, kemi ofruar 55 bursa veçantë për mbulimin e shpenzimeve të tjera që kanë studentët si pjesë e një bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kemi themeluar grupin punues ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme, sepse nuk duam që asnjë vajzë apo djalë ta braktisë shkollimin. Po vazhdon adresimi i rasteve të diskriminimit të raportuara përmes platformës Online Raporto Diskriminimin. Në fund të vitit të kaluar, për të dytën herë ishim nikoqir të Samitit Rajonal kundër Diskriminimit ndaj Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Në qershor të vitit 2022 e themeluam Ekipin Ndërinstitucional për Nxitjen e Punësimit të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, me përfaqësim jo vetëm të institucioneve por edhe të Organizatave Joqeveritare të cilat punojnë me komunitetet. Kemi parë se si ka ndikuar puna e ekipit, për shembull përmes konkurseve të hapura për komunitetet joshumicë nëpër ministritë e Qeverisë së Kosovës. Deri më tash kemi 18 vende pune, e dhjetëra të tjera do të shpallen në muajt në vijim. Kështu synojmë plotësimin e kuotës prej 10 për qind. Gjithashtu, në rastet e punësimit për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes Agjencisë së Punësimit kemi një rritje prej 31% prej vitit 2022 deri në vitin 2023.
Pra, nuk po krahasohemi me qeveritë e mëhershme, po krahasohemi me vetveten. 31 % ka punësim më shumë në vitin që shkoi se sa në atë 2022.
Për ta lehtësuar punësimin e studentëve që kanë vijuar studime në gjuhën serbe, vazhdojmë me verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti në Mitrovicën e Veriut. Këtë muaj fillon verifikimin e diplomave të lëshuara nga shkollat e mesme në Kosovë me mësim të zhvilluar në gjuhën serbe, e që dihet ka edhe rom që e kanë bërë këtë. Andaj, urojmë që do të kemi edhe prej komunitetit rom që kanë mësuar në gjuhën serbe e që do të aplikojnë gjatë verës në universitetet e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, kemi vazhduar në shumë forma mbështetjen institucionale. 146 familje rome janë mbështetur me pajisje elektro-shtëpiake, orendi, pako higjienike dhe ushqimore, ose ndihmë për biznese gjatë vitit të kaluar nga grantet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Qasja jonë është shumë dimensionale, sepse duam që krahas gëzimit të të drejtave të barabarta, të tilla të jenë edhe mundësitë për secilën e secilin qytetar të Republikës.
Siç e dini regjistrimi i popullsisë ka filluar sot, më 5 prill 2024. Andaj ju ftoj që të merrni pjesë në regjistrim, në mënyrë që nevojat e komunitetit të dihen saktë dhe të mund të adresohen me saktësi.
Edhe planifikimi zhvillimor, edhe alokimi buxhetor varen nga saktësia e pasqyrës që e krijojmë për popullsinë mbarë e posaçërisht për komunitetet e që quhet regjistrim i popullsisë. Do të zgjasë gjithsej 6 javë, prej 5 prillit deri më 17 maj, po mos e leni në javën e fundit, sa më herët aq më mirë dhe bashkëpunoni me regjistruesit, të cilët në këtë fundjavë, vetëm në këtë fundjavë do t’i kenë hartat fizike kur të regjistrojnë popullsinë e prej të hënës do t’i kenë hartat digjitale nëpër tabletet e tyre.
Përkrahja jonë për komunitetin rom në Kosovë është më e madhe se kurrë, siç është edhe kontributi i komunitetit rom në shoqërinë tonë. Sikurse këtu sot, uroj që kontributi juaj të njihet gjerësisht dhe që në vazhdimësi të kemi, e të kemi bashkë, të arritura të reja, e suksese të tjera që na bëjnë të gjithëve pa dallim krenar.
Ju falënderoj dhe ju uroj çdo të mirë për Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Bahtalo Romano Dive!/Arbresh.info/
Kosova U19 fiton ndeshjen e fundit, por nuk mjafton për kual...
Miftaraj: Osmani i tregoi Qeverisë e Kuvendit se s’dinë të h...
“Si nuk po të vjen marre, nuk po të njoh se kush je”, Kevini...
Parandalohet futja e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të ...
“Trepça” largon përkohësisht dhe një punëtor, mungoi në punë...
“Ftoha marrëdhëniet”, Meta flet në gjykatë për raportin me k...