Kryeministri Kurti kujton mjeshtrin e skulpturës, Luan Mulliqin

22:34 | 25 Tetor 2024
Q L

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë këtë mbrëmje në Akademinë Përkujtimore që u mbajt në nderim të mjeshtrit të skulpturës, Luan Mulliqi, në atelienë e tij në Matiqan.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se sonte përkujtojmë së bashku një artist me talent të rrallë, një akademik fort të nderuar dhe njëkohësisht një njeri me shpirt të madh, Luan Mulliqin. Kjo mbrëmje, shtoi ai, është një homazh për jetën dhe veprën e tij, një jetë që ka lënë trashëgimi të çmuara të artit dhe kulturës sonë, shkruan Arbresh.info

“Luan Mulliqi u dallua për veprat e tij që gjenden në galeri dhe muze të njohur ndërkombëtar, por edhe për lidhjet e tij me njerëz të shquar, si shembull që Mulliqi na e mësoi për fuqinë e artit, si urë lidhëse mes njerëzve, popujve, kulturave. E prania e tij ka mbetur e përhershme në hapësirat e përbashkëta publike nëpërmjet shtatoreve e busteve që janë të vendosura gjithandej kryeqytetit, qyteteve, vendit tonë, Kosovës. Në Prishtinë Luanin e gjejmë te busti i Madeleine Albright, te Ismail Qemali, Fehmi Agani, Bob Dole, e në Gjakovë e gjejmë te busti i poetit Ali Podrimja, kurse në Shqipëri te skulptura monumentale e Nënës Terezë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Duke kujtuar figurën e artistit, kryeministri tha se jemi të vetëdijshëm se trashëgimia e tij nuk është thjesht një koleksion veprash arti, por një shembull i devocionit dhe dashurisë për artin dhe për vendin. ”Përmes Fondacionit “Luan Mulliqi”, ne do të vazhdojmë të ndjekim gjurmët e tij, të përkrahim artistët e rinj, dhe të ruajmë gjallë kujtesën e tij në çdo përpjekje artistike”, u shpreh ai.

Në përfundim, ai tha se Luan Mulliqi nuk është më fizikisht në mes nesh, por emri dhe vepra e tij do të qëndrojnë përjetë, si një burim frymëzimi për brezat që vijnë si të artistëve po ashtu edhe të artdashësve, gjersa ai vinte nga populli vetë dhe i rikthehej popullit me këto vepra artistike, të cilat do t’i kemi përjetë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme