Përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ta vazhduar luftën ndaj diskriminimit racor e ka shprehur sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me fjalimin e të cilit ka vazhduar punimet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor.
“Jemi këtu me zotimin për t’u përballur me diskriminim racor, për ta mposhtur racizmin si dhe luftuar pabarazinë. Për ta realizuar vizionin e Qeverisë, duhet të përballemi me padrejtësitë që ekzistojnë, posaçërisht diskriminimin. Për ta ruajtur bashkësinë, duhet ta luftojmë diskriminimin aty ku ai është më së shumti i pranishëm: Ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian”, ka thënë ai në fjalimin e hapjes së ditës së dytë të samitit, raporton Arbresh.info.
Në këtë mes, ai i ka përmendur edhe arritjet e Qeverise në këtë luftë, në radhë të parë Platformën anti-diskriminim: raportodiskriminimin.org. Në këtë platformë të Qeverisë, qytetarët mund të raportojnë rastet e diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, me ç’rast kryeministri deklaroi se po e pranojmë, hulumtojmë dhe adresojmë praninë e diskriminimit racor në shoqërinë tonë.
Njëkohësisht, dy nismat online “Kosova Generation Unlimited” dhe “Superpuna”, të cilat mundësojnë lidhjen mes punëdhënësit dhe punonjësit të mundshëm në mënyrë digjitale, janë veprime të Qeverisë që ofrojnë mundësi punësimi të rinisë nga komunitetet, për një shtet më të drejtë.
“Me investime nga qeveria në iniciativën Kosova Generation Unlimited, synojmë që 15% e praktikave të ofruara të jenë për të rinjtë nga komunitetet jo shumicë. Shifrat e fundit tregojnë se deri më tani kemi arritur që 9% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë, pra ende nuk kemi mbërri se ku dëshirojmë e duhet, po megjithatë një numër përafërsisht në linjë me përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë në Kosovë”, tha kryeministri.
Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor është ngjarje e përvitshme që mbledh palët kryesore të interesit nga i gjithë rajoni, në mënyrë që të mund të shkëmbehen praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Në ditën e dytë të këtij samiti do të mbahen gjithsej pesë sesione, në të cilat panelistë nga institucionet e shoqëria civile do të diskutojnë për: Buxhetimin e përgjegjshëm për romët: Praktikat e mira dhe sfidat ne dy nivelet e qeverisjes; Mekanizmat institucionalë për zbatimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit racor; Njohuritë digjitale: Ekzaminimin e pengesave ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; Histori suksesi dhe praktikat më të mira në luftën kundër diskriminimit racor – Përvoja nga Ballkani Perëndimor; si dhe Shërbimet e bazuara në komunitet.
Këtë vit, me moton “Unitet në diversitet”, Samiti nuk fokusohet vetëm në sfidat, por edhe në histori suksesi e praktika të mira, qofshin ato të institucioneve apo komuniteteve. Përveç bashkimit të ekspertëve, liderëve dhe aktivistëve për të diskutuar dhe zhvilluar strategji efektive për luftimin e diskriminimit racor në të gjitha format e tij, Samiti ofron platformë për ndarjen e historive dhe përvojave të njerëzve të prekur nga diskriminimi racor.
Samiti organizohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë/ Zyra e Kryeministrit, mbështetur prej konsorciumit të përbërë nga VoRAE, HEKS, Terre des Hommes Kosovë, me fonde të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC)./Arbresh.info/
Kurti: Me Maqedoninë e Veriut nuk kemi mosmarrëveshje
Nënshkruhen marrëveshjet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedoni...
Kelmendi, Bajramit: Platforma digjitalizimit nuk gjindet, ku...
Mungesa e fëmijëve, Drenusha shpërthen në lot
Mashtrimet me kriptovaluta/ Detaje të reja nga operacioni me...
Pedri: Agjentët e mi po merren me kontratën e re me Barcelon...