Google ADS

Kryeministri Kurti bëri iftar me të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjinoc

21:58 | 17 Mars 2024
R J

Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte është bashkuar për iftar me të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve, në Gjinoc të Komunës së Suharekës.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që ishte sonte aty, duke iu dëshiruar të gjithë atyre që janë agjërueshëm, agjërim të lehtë, me urimin që Zoti t’u japë forcë, besim, shpresë e mirëqenie.

“Ky është një muaj kur i kthehemi vlerave shpirtërore, kur e shtojmë solidaritetin me njëri-tjetrin e për njëri tjetrin, dhe me besimin në zemër dhe përkushtimin shpirtëror ndihmojmë të tjerët edhe veten tonë, për qetësi shpirtërore e për besim për të ardhmen në Zotin dhe gjithashtu në dashurinë për njerëzit, që është e domosdoshme për jetë të mirë e të dinjitetshme”, u shpreh Kryeministri.

Teksa vlerësoi kontributin e tyre në shoqëri, në familjet e tyre, ai tha se është e domosdoshme që tash ne sado pak të përpiqemi të jemi pranë të moshuarve për nevojat lidhur me shëndetin dhe mirëqenien.

Me këtë rast Kryeministri falënderoi edhe bamirësin z.Halil Kastrati për punën që po e bën.

Në librin e përshtypjeve, kryeministrit shtoi se ishte kënaqësi të jetë dëshmitar dhe përjetues i dashamirësisë së kësaj shtëpie të të moshuarve, me kujdesin profesional dhe zemërgjerësinë humane.

Në këtë iftar, kryeministri shoqërohej nga zëvendësministri Hysen Durmishi si dhe deputetët Besim Muzaqi, Nijazi Isaku dhe Jetmire Vrenezi.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara zonja e zotërinj, motra dhe vëllezër,
I nderuari z. Halil Kastrati,

Unë kam nderin dhe kënaqësinë që jam me juve sonte këtu.

Të gjithë ju të cilët jeni agjërueshëm ju dëshiroj agjërim të lehtë në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, dhe Zoti t’ju japë forcë, besim, shpresë e mirëqenie, edhe tuajën individualisht edhe bashkërisht këtu në këtë shtëpi të nderuar, por edhe për familjet më të gjëra e miqtë e dashamirët të cilët i keni.

Ky është një muaj kur i kthehemi vlerave shpirtërore. Kur e shtojmë solidaritetin me njëri-tjetrin e për njëri- tjetrin, dhe me besimin në zemër dhe përkushtimin shpirtëror ndihmojmë të tjerët edhe veten tonë, për qetësi shpirtërore e për besim për të ardhmen në Zotin dhe gjithashtu në dashurinë për njerëzit, që është e domosdoshme për jetë të mirë e të dinjitetshme.

Unë e di se secila prej juve e secili prej jush keni kontribuar në shoqëri, keni kontribuar në familjet tuaja dhe është e domosdoshme që tash ne sado pak të përpiqemi që këtë t’ua kthejmë në moshën e shtyrë që keni ashtu, që për të gjitha nevojat lidhur me shëndetin dhe për mirëqenien e juaj të jemi këtu pranë jush. Me këtë rast e falënderoj edhe z.Halil Kastratin për gjithë punën që po e bën jo vetëm në këtë shtëpi këtu në Suharekë po gjithandej nëpër Kosovë, sepse janë disa shtëpi të tjera të ngjashme.

Unë e kam parasysh që jeta juaj është përplot përvoja e kujtime, të cilat ju keni mirësinë që t’i ndani me njëra tjetrën e me njëri tjetrin, po edhe ne jemi të interesuar për këtë meqenëse kontributi që ju keni dhënë në të kaluarën dhe dija që keni edhe sot e kësaj dite është shumë e vlefshme si për identitetin tonë, se kush jemi prej nga vijmë, por gjithashtu edhe për mësimet që duhet t’i nxjerrim që të ecim sa më mirë, më drejtë e më shpejtë përpara.

Edhe një herë agjërim të lehtë, Zoti ua bëftë kabull dhe ju dëshiroj çdo të mirë në jetë e me shëndet të fortë./Arbresh.info/

 

Të ngjashme