Google ADS

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetin boshnjak

16:48 | 30 Shtator 2022
E.H

“Qeveria jonë ka dëshmuar gjatë vitit të kaluar që ne kemi vlerësim e respekt të lartë për komunitetin boshnjak. Kjo tregohet me kujdesin që tekstet mësimore janë botuar dhe paguar nga Qeveria për mësim për shkollat në gjuhën boshnjake”, ka theksuar kryeministri Albin Kurti, në tryezën e rrumbullakët me komunitetin boshnjak, të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi edhe rekomandimet e Komisionerit për Gjuhë për implementimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe në veçanti për krijimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim brenda Zyrës së Kryeministrit, për të cilën tha se sigurohet që ligjet dhe aktet nën-ligjore të kenë përkthim adekuat, e lehtëson qasjen në drejtësi dhe e siguron sundimin e ligjit jo vetëm për qytetarët të cilët flasin gjuhën shqipe.

“Dëshirojmë ta promovojmë këtë qasje shumëgjuhëshe në Kosovë, dhe një pjesë e përkrahjes sonë ka qenë sivjet përmes ndihmës për Programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës. Zyra për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit ka ndarë 5 bursa për studentë prej komuniteteve për të studiuar gjuhët e Ballkanit si dhe linguistikë, antropologji e lëndë të tjera të ngjajshme. Gëzohem që nga ata që po studiojnë ka student prej komunitetit shqiptar, serb, por edhe nga ai boshnjak”, tha ai.

Në këtë tryezë, ku e pranishme ishte edhe Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, kryeministri Kurti tha se gjatë verës ka takuar të rinj boshnjak, praktikantë të angazhuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve.

Nga 100 të rinj të pranuar në programin e Qeverisë për punë praktike në institucione, 32 kanë qenë të komunitetit boshnjak.

“Një mundësi tjetër për të kuptuar nga afër kontributin e boshnjakëve në institucionet tona ka qenë edhe takimet me Zyrtarët Komunal për Komunitete dhe Kthim”, tha kryeministri.

Ai shtoi se këta zyrtarë janë hallkë e rëndësishme në zinxhirin e shërbimeve për qytetarët prej komuniteteve joshumicë.

Ai veçoi takimin e mbajtur në mars ku kishte pasur mundësi të dëgjoj për kërkesat kryesore, dhe pasi që njëra prej kërkesave ka qenë për trajnim dhe rrjetëzim të shtuar, Zyra për Çështje të Komuniteteve ka organizuar një konferencë shumë të suksesshme gjatë verës për këta zyrtarë.

Kryeministri bëri të ditur se do të mbahet edhe një konferencë nga Zyra e Kryeministrit për këta Zyrtarë javën e ardhshme, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme