Fiks dy javë pas takimit dhe marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën u përfshi edhe njohja mes Kosovës e Izraelit dhe vendosja e ambasadës së shtetit kosovar në Jerusalem, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i drejtohet popullit të Kosovës me anë të një video-mesazhi.
E gjitha do të ndodhë të martën e 15 shtatorit, me rastin e “Rosh Hashanah”, kur shënohet Viti i Ri Hebraik, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Video-përshëndetja e Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, për popullin e Kosovës dhe komunitetin hebraik në Kosovë, do të shfaqet në një ceremoni festive të Vitit të Ri Hebraik e organizuar nga Kryerabinati i Shqipërisë, në një nga hotelet e Prishtinës.
Sipas agjendës së paraparë nga organizatorët, të siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, përveç video-mesazhit të Kryeministrit Netanyahu, gjatë ceremonisë mund të ketë edhe një lidhje direkte me kryeministrin izraelit.
Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar edhe krerët e shtetit, Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit, një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit e ka zhvilluar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë asaj bisede, me anë të së cilës u njoftua mes dy kryeministrave vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, Kryeministri Hoti i konfirmoi Kryeministrit Netanyahu edhe për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Lajmin për këtë e shpalli edhe vetë presidenti amerikan, me anë të një cicërime në Twitter, disa minuta pas takimit.
E gjitha ndodhi si pjesë e marrëveshjeve që Kosova e Serbia, ndaras, nënshkruan me SHBA-të, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të presidentit Trump, për normalizim ekonomik mes të dy vendeve, shkruan Reporteri.net.
Në marrëveshje përveç njohjes mes Kosovës e Izraelit dhe vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, gjithashtu u përfshi edhe vendosja e ambasadës së Serbisë në qytetin e kontestuar të Izraelit.
Ndryshe, në eventin e të martës i pranishëm do të jetë edhe Kryerabini i Shqipërisë, Yowl Kaplan, që njëherit është edhe organizator i këtij eventi në kryeqytetin kosovar.
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare