Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë ftesë nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Kryeministri Kurti i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Kovaçevski me një letër, shkruan arbresh.info.
Në letrën e tij drejtuar homologut të tij, Kurti shkruan se Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë.
“Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme”, shkruan Kurti në letrën drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kurti i shkruan Kovaçevski se në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.
“I nderuar Kryeministër, Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”, shkruan tutje Kurti.
Madje, Kurti tutje i shkruan se është në interes të të dyja shteteve që të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.
“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkruan tutje Kurti.
Letra e plotë:
I nderuar Kryeministër,
Ju faleminderit shumë për ftesën e datës 23 maj 2022.
Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.
Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike.
Pasi që jemi takuar disa herë, unë besoj fuqishëm se këto janë vlerat që duam të ndjekim në rajonin tonë, për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë.
I nderuar Kryeministër,
Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.
Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...