Kryeministri Avdullah Hoti gjatë raportimit sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e epidemisë COVID-19, ka thënë se lehtësimi i masave nga qershori, e ka gjetur Kosovën jo të gatshme për të bashkëjetuar me virusin, deri në momentin e mposhtjes së tij.
Hoti, tha se gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së tij, ka pasur dy mundësi se si t`i përgjigjet gjendjes së re të krijuar me Covid 19./arbresh.info/
Fjalimi i tij i plotë:
Në vazhdim, po e japim fjalimin e tij të plotë:
Faleminderit Kryetare e Kuvendit, znj. Osmani,
Të nderuar kryetarë të grupeve parlamentare,
Të nderuar deputetë,
I nderuar kabinet qeveritar,
Tashmë të gjithë po e shohim dhe po e pranojmë se hapja e shoqërisë dhe bashkë me të edhe ekonomisë pas asaj mbylljeje drastike, por që ishte e domosdoshme deri në qershor, e ka gjetur vendin tonë jo të gatshëm për të bashkëjetuar me virusin, deri në momentin e mposhtjes së tij, për çka sot po paguajmë një çmim jo të lirë, me shtim të numrit të të infektuarve, ngopje të sistemit shëndetësor dhe për fat të keq edhe humbje të jetës.
Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes sonë, ne kemi pasur dy mundësi se si t`i përgjigjemi gjendjes së re të krijuar me Covid 19.
Mundësia e parë ishte të nxisim qytetarët tanë që të ruajnë distancën, të mbajnë maska në fytyrë dhe të përkujdesën për higjienën e tyre personale; të obligojmë administratën publike apo sektorin privat që t`u përmbahen me korrektesë masave mbrojtëse e parandaluese, të cilat ne i kemi përmbledhur në Manualin e masave antiCovid; dhe të përkrahim sistemin tonë shëndetësor dhe atë monitorues me profesionistë shtesë, të cilët do të mbështesin betejën tonë të përbashkët kundër këtij virusi.
Mundësia e dytë ishte të mbyllim sërish njerëzit në shtëpitë e tyre duke ndalur sërish punën dhe ekonominë.
Ne u përcaktuam për opsionin e parë, të bashkëjetesës në distancë me virusin, duke mos e ndalur ekonominë, por mbi të gjitha duke luftuar për çdo jetë, si ajo që po vuan nga COVID, si ajo që po rrezikohet seriozisht nga varfëria.
Rruga që kemi zgjedhur është më e vështira dhe nuk fitohet vetëm nga profesionistët shëndetësorë. Ajo, siç po shihet rrezikon të dështojë nëse secili prej nesh, si qytetarë të këtij vendi, nuk respektojmë masat që Qeveria i ka bërë të obligueshme në funksion të ruajtjes së shëndetit tonë, familjarëve tanë dhe shoqërisë në përgjithësi.
Megjithatë, ne u detyruam që pas një ngritjeje serioze numrash të kthejmë disa prej masave shtrënguese, në mënyrë që të parandalojmë një rrezik të madh që po afrohej. Indikatorët që vinin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike na sinjalizuan se administrata, subjektet afariste, e në veçanti gastronomia paraqisnin vend të shpërndarjes së virusit.
Në bazën e këtyre vlerësimeve dhe rekomandimeve për të ngadalësuar zhvillimin e këtij zinxhiri shpërndarës, Qeveria vendosi fillimisht të kufizojë lëvizjen në katër prej komunave me vatrat më të mëdha aktive, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri, si dhe të zvogëlojë oraret e punës për gastronominë në nivel vendi, e po ashtu të urdhërojë reduktimin e stafit në nivelin esencial për çdo subjekt punues.
Më datë 8 korrik, në bazë të raportimeve dhe kërkesës së ardhur nga komunat veriore të Kosovës, si dhe rekomandimeve të IKSHP-së, Qeveria ka shtrirë masat restriktive edhe në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Gjithmonë sipas analizës së IKSHP-së, që ky institut bën mbi situatën epidemiologjike, por edhe informatave që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet spitalore, sot, më datë 13.7. 2020, ne kemi rritur numrin e komunave me ndalesë të lëvizjes prej orës 21:00 deri në orën 05:00. Komunat e përfshira në këtë rreth të ri ndalese janë Mitrovica e Jugut, Gjilani, Fushë Kosova dhe Shtërpca, pasi të njëjtat kanë rritje të shtuar të numrit të të infektuarve.Ndër masat e tjera që kemi aprovuar sot në Qeveri është edhe obligimi i të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës të mbajnë maska në të gjitha ambientet, të mbyllura dhe të hapura, duke përjashtuar vetëm ambientet e banimit privat, shtëpi apo banesa.
Mbajtja e maskës vlerësohet se është kushti themelor dhe përcaktues për uljen e shpërndarjes së virusit në komunitet.
Vendimi i sotëm i Qeverisë obligon të gjitha subjektet të mbajnë dezinfektues duarsh dhe maska në vende të qasshme për punëtorët e tyre dhe për ata që marrin shërbime.
Kemi mbyllur të gjitha çerdhet, por e kemi liruar njërin prind nga puna, në mënyrë që të kenë mundësi të përkujdesën për fëmijët nën 10 vjeç.
Mbyllëm të gjitha aktivitet rekreative, kulturore dhe sportive që zhvillohen në ambiente të mbyllura, pasi janë ambiente me potencial të madh shpërndarës të virusit.
Vendimi i sotëm kufizon edhe orarin e qendrave afariste. Të tillat nuk mund të punojnë pas orës 21:00 e deri në orën 05:00.
Kemi mbyllur tregjet publike të makinave dhe kafshëve. Kemi pezulluar ceremonitë fetare në institucionet fetare në nivel vendi, si dhe kemi ndaluar grumbullimin e njerëzve mbi pesë veta në sheshe publike dhe parqe, me qëllim të ndërprerjes së zinxhirit përcjellës të virusit nga një person te tjetri. Po ashtu, kemi obliguar operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal, sipas masave në fuqi për emergjencën në shëndetin publik.
Kemi vendosur një orar për daljen në ambiente publike për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe për të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje kronike.Vendimi i Qeverisë, po ashtu, parasheh rregullat e hyrje-daljeve në kufijtë tanë tokësorë dhe ajrorë për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës në funksion të ruajtjes së shëndeti publik të qytetarëve tanë.Të gjitha këto masa dhe ato që kemi marrë më herët kanë një synim, zvogëlimin e fuqisë së shpërndarjes së virusit, duke minimizuar aktivitetet që zhvillohen në ambiente të mbyllura dhe duke i zhvendosur ato sa më shumë në ambiente të hapura, por, po ashtu, duke mbyllur edhe ato aktivitete në publik ku distanca nuk ruhet.
Përmes vendimeve qeveritare kemi listuar një varg autorizimesh për Ministrinë e Shëndetësisë, të cilat veç kanë filluar të përkthen në veprime konkrete për ngritjen e kapaciteteve shëndetësore në përballjen e tanishme, por edhe afatgjatë me këtë pandemi.Po theksoj këtu para jush disa autorizime që i ka marrë Ministria e Shëndetësisë deri më tani, e të cilat po marrin formë çdo ditë:- Manuali për mbrojte dhe parandalim të përhapjes se virusit. Përmes këtij manuali kemi zbërthyer para qytetarëve e subjekteve publike e private të gjithë konglomeratin e masave dhe veprimeve me të cilat mund të zhvillohen veprimtaritë e përditshme individuale e grupore duke e mbajtur virusin në distancë.
– Kemi angazhuar 200 profesionistë mjekësorë në fushatën për monitorim dhe parandalim të shpërndarjes së virusit.- Kemi riorganizuar komplet kapacitetet tona spitalore në nivel vendi dhe ky vendim ka bërë të mundur që QKUK, por dhe të gjitha spitalet rajonale të krijojnë hapësira shtesë me shtretër shtesë për të prekurit me COVID-19. Kështu, në kuadër të QKUK-s kemi kthyer praktikisht në klinikë për COVID-19 Klinikën e Pulmologjisë, janë të gatshme edhe ajo Dermatologjisë, Psikiatrisë e kështu me radhë, sipas nevojave që mund të vijnë në ditët në vazhdim. Po ashtu, secili spital rajonal ka krijuar reparte infektive “ad hoc” për të ndalur hovin e rasteve të lehta dhe mesatarisht të lehta, që mos të ngarkojnë kapacitet në QKUK.- Kemi rishikuar kapacitetet spitalore dhe humane të spitaleve tona private në mënyrë që ato të jenë funksion të përballjes me COVID-19.
– Kemi riorganizuar kapacitetet humane shëndetësore dhe ky vendimi i Qeverisë i jep mundësinë MSh që të riorganizojë komplet dhe të angazhoj profesionistët shëndetësor në nivel vendi edhe ata që nuk janë të angazhuar momentalisht.
– Kemi shtuar kapacitetet testuese në kuadër të IKSHP-së dhe po bëjmë përgatitje në kompletimin me aparaturë të nevojshme edhe shtatë regjione me aparate për matje virologjike, e bashkë me këtë edhe decentralizimin e testimeve virologjike e serologjike edhe tek institucionet private, mbi bazën e legjislacionit në fuqi.
– Kemi filluar procedurat për pajisje me 100.000 teste virologjike.
– Proceduat për furnizimi me vaksinë të gripit sezonal në sasi që kalon shumëfish ato të viteve paraprake për të rritur nivelin e imunizimit për gripin sezonal si masë parandaluese.
– Po punojmë si çdo qeveri tjetër në tregun ndërkombëtar për mundësinë e realizimit të një parakontrate për vaksinën antiCovid. Gjithashtu sikur që po bëjë qeveritë e tjera për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale për certifikimin e terapisë për COVID dhe kontraktimin e sasive të konsiderueshme për nevojat tona spitalore.
– Kemi ndërmarrë masa që të pajiset personeli shëndetësor me pajisje mbrojtëse të sigurisë së lartë, në mënyrë që të ruajmë ata nga infektimi i mundshëm.
– Kemi marrë vendim në qeveri, duke qenë se Ligji për Paga nuk kaloi në vendim të Gjykatës Kushtetuese, që ne të miratojmë një pagesë shtesë për stafin shëndetësor që është i angazhuar gjatë kësaj kohe të pandemisë.
Të gjitha këto dhe një varg masash e veprimesh që MSh ka marrë në vazhdimësi, janë përpjekjet tona që duke e mbajtur shoqërinë të hapur, por të përgjegjshme, të mbajmë kapacitetet spitalore stabile dhe funksionale, në mënyrë që ato të durojnë dyndjen e madhe të pacientëve.Ne tashmë jemi në një moment kyç të menaxhimit të pandemisë, por kjo na ka nxitur edhe më shumë që përmes vendimeve strategjike për shtim kapacitetesh të bëhemi gati për variantet e mundshme, me të cilat ne mund të përballemi në ditët dhe javët e ardhshme.
Jemi duke mbajtur takime të rregullta të Komitetit COVID që kryesohet nga ministri i Shëndetësisë me të gjitha institucionet përkatëse.
Jemi duke shqyrtuar të gjitha masa për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, duke mos përjashtuar edhe ndjekjen e procedurave ligjore dhe kushtetuese për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Dje kemi mbajtur edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kemi bërë vlerësim të rregullt të situatës dhe kemi marrë veprimet e nevojshme. Do të jemi gjithmonë këtu para jush për të informuar për veprimet që po i marrim. Por, më lejoni t’ju them se jemi duke i përcjellë strikt të gjitha protokollet që po i zbatojnë vendet e BE-së, protokolle të zhvilluara nga Komisioni Evropian dhe nga OBSH-ja sikurse çdo vend tjetër në Evropë.
Ju faleminderit!
Kapiteni i Ipswichit nuk pranon të mbajë shiritin me ngjyrë ...
Kevin i heq 10 mijë euro nga çmimi i madh, për ta kaluar nat...
Milaim Zeka, Drilonit: ‘Ta lexoj mimikën, ti digjesh për Lel...
Shtypi gjerman për sulmin në Kosovë: “Terrori në Kosovë̶...
Kurti te Darka e Lamës: Edhe sipërfaqja e punuar e tokës edh...
SHBA, kufizon eskportet e pajisjeve që mund të përdorë Kina ...