Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avduallah Hoti ka realizuar sot një takim virtual me drejtuesit e Qendrës së Politikave Evropiane (Europian Policy Centre), ku morën pjesë mbi 40 Euro deputetë.
Ndonëse në këtë bashkëbisedim janë trajtuar një varg temash, që prekin marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, biseda është përqendruar sidomos te çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në fillim të këtij takimi, siç njofton Zyra për Media e kryeministrit, Hoti i ka njoftuar bashkëbiseduesit për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19, si dhe për implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike të vendit, ndërsa, më pastaj, ai ka shjelluar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur kërkesat e shtruara për liberalizimin e regjimit të vizave, raporton arbresh.info.
Në këtë kontekst, kryeministri Hoti rikujtoi se Komisioni Evropian e filloi dialogun për liberalizmin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor të vitit 2012, Komisioni ua dorëzoi institucioneve të Kosovës një listë kriteresh që duheshin plotësuar, të cilat identifikuan legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të përparuar drejt liberalizimit të vizave. Udhëzimi përbëhej nga 95 standarde, më shumë sesa për secilin vend tjetër të rajonit, në lidhje me migracionin, menaxhimin e kufijve, sigurinë dhe të drejtat themelore.
Gjatë viteve në vazhdim, vijoi kryeministri Hoti, Komisioni adaptoi katër raporte për dialogun për vizat në Kosovë, ndërsa në vitin 2016 ky Komision propozoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pas përmbushjes së dy kritereve të fundit të mbetura, që ishin ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur edhe këto dy kërkesa, duke i përmbushur të gjitha standardet e kërkuara në udhëzimet për liberalizim.
Parlamenti Evropian, më 13 shtator 2018, ra dakord për të filluar bisedimet për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe këtë qëndrim e rikonfirmoi edhe më 28 mars 2019. Po ashtu, pati edhe një votim tjetër në shtator 2019, në Komitetin për Liberalizim, që votoi për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian. Kjo votë u konfirmua në seancën plenare të Parlamentit Evropian, më 9 tetor 2019 në Bruksel.
Por, me gjithë konfirmimin e Komisionit për përmbushjen e të gjitha kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe votave pohuese të Parlamentit Evropian, procesi është ende në pritje të një vendimi nga Këshilli i Evropës. Një nga shqetësimet e shteteve anëtare është se liberalizimi i vizave për Kosovën do të shkaktojë një valë të re migracioni. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se është arritur shumë përparim në administrimin e migracionit, ndërsa numri i kërkesave për azil nga Kosova është i papërfillshëm.
Bazuar në të dhënat e Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit, azilkërkuesit nga Kosova nuk duhet të jenë më shqetësim për BE-në. Ndërkaq, sipas të dhënave të Eurostat-it, Kosova pati një prirje të rënies së migrimit gjatë viteve të fundit dhe në këtë pikëpamje qëndron më mirë se shumë vende të tjera të rajonit./arbresh.info/
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...
Pesë vite nga tërmeti i 26 nëntorit, buxheti ka ende 50 mili...
Komisioni Disiplinor i FFK-së merr masa për futbollistët që ...
“Marre se si po duket”, Lela u kërkon banorëve që të pastroj...
Dëshmitari Çadraku: Shumë dokumente që më janë prezantuar ka...
Liverpooli merr një lajm të mirë para ndeshjes me Real Madri...