Google ADS

Kryeministri Hoti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë strategjik dhe model i bashkëpunimit rajonal

17:03 | 23 Tetor 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit edhe nga Presidenti Stevo Pendarovski, me të cilin diskutoi për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë, bazuar në interesat e përbashkëta politike dhe ekonomike, të cilat e begatojnë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Hoti e potencoi faktin se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut janë partnerë në shumë fusha.

“Ky është demonstrim praktik i principit të fqinjësisë së mirë dhe mund të thuhet se po japim kontributin tonë aktiv të ofrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, theksoi Kryeministri Hoti.

Në takim u konstatua se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë duke lëvizur drejt të njëjtit cak, integrimeve euroatlantike, dhe këtë rrugë do ta bëjnë edhe më të lehtë, duke e përkrahur njëra – tjetrën.

Ndër të tjera, nga kryeministri Hoti dhe presidenti Pendarovski u specifikua se nuk ka çështje të hapura ndërmjet dy vendeve, gjersa konkluduan se ka rezultate të dukshme të cilat janë bazë e mirë për projektet e ardhshme në të gjitha ato fusha që janë me interes të qytetarëve dhe vendeve tona.

Sa i përket dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, kryeministri Hoti rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, ku tha se normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet t’i paraprijë njohja reciproke.

Kryeministri Hoti ka falënderuar nikoqirin edhe për bashkëpunimin gjatë kohës së pandemisë dhe shkëmbimin e përvojave në luftimin e saj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme