Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim me Inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratin Sanitar, Inspektoratin Komunal, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin Farmaceutik, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, Drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, Kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi dhe Drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi
Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën e përgjithshme me pandeminë COVID- 19, me ç’rast kërkoi rritje të angazhimit në menaxhimin sa më efikas të kësaj epidemie.
Pas takimit, Kryeministri Hoti mbajti një konferencë të përbashkët, ku tha se lajmi i mirë është që Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme për të udhëtuar dhe për të lejuar që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë. Kjo është bërë falë një angazhimi të jashtëzakonshëm të të gjitha trupave qendrore dhe lokale, të gjithë mjekëve, policëve, inspektorëve, vartësve të institucioneve të përfshirë në menaxhimin e pandemisë.
“E them me kënaqësinë më të madhe që gjithë kjo përvojë që është bërë në menaxhimin e pandemisë po merret si shembull gjithandej, për të parë se si mund të përmirësohet situata”, shtoi Kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti, theksoi se pavarësisht kësaj, në dy javët e fundit nga data 4 tetor e këndej numri i rasteve është në rritje. Ende jemi nën atë nivelin prej 50 rasteve për çdo 100 mijë banorë që është pragu kur hyjmë në atë grupin e vendeve me rrezikshmëri të ulët për të udhëtuar dhe funksionuar normalisht shoqëria dhe bizneset, prandaj duhet të kujdesemi që ta mirëmbajmë këtë situatë të cilën e kemi krijuar.Kryeministri Hoti, vlerësoi tejmase ngritjen e kapaciteteve të testimeve, duke thënë se sot ka marrë informatën nga Instituti që janë testuar rreth 10 mijë nxënës dhe arsimtarë nëpër shkolla, gjithandej në Kosovë, ndërsa përqindja e atyre që kanë dalë pozitivë është rreth 5 për qind, që është mjaftë e lartë realisht.
“Bëmë një vlerësim të burimeve të infektimeve edhe të rritjes së rasteve, kush po e shkakton këtë rritje të rasteve gjatë dy javëve dhe vlerësimi është shqetësues. Rastet po shtohen nga gastronomia dhe nga institucionet, dhe është e papranueshme dhe e papërgjegjshme që vartësit e institucioneve të mos kujdesen për mirëmbajtje të plotë të masave gjatë funksionimit të institucionit, ndaj të marrin veprimet e duhura në rast se ka raste që paraqiten të të punësuarve në institucione, pra të përcillen të gjitha protokollet e nevojshme”, specifikoi Kryeministri Hoti.
Njëkohësisht, Kryeministri Hoti, tha se me shqetësim ka pranuar informatën që ka plot raste që evidentohen nga policia edhe nga inspektoratet nëpër barnatore ku shërbejnë pa maskë, ose nëpër furra dhe markete që shërbejnë pa maskë, si dhe personat që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës shërbejnë pa maska, ose nëpër institucione, bartësit e institucioneve, njerëzit që punojnë aty nuk i respektojnë masat dhe kjo sigurisht është e patolerueshme.
“Ne nuk mund të lejojmë që për shkak të papërgjegjësisë së një individi, të një personi të vetëm apo të një institucioni të vetëm, të një biznesi të caktuar, ne detyrohemi të marrim masa shtrënguese që na kushtojnë të gjithëve pa përjashtim”, tha Kryeministri Hoti.
Më tej, Kryeministri Hoti theksoi se kemi kaluar ato masa shtrënguese për 3-4 muaj dhe na kanë kushtuar shumë, të gjithëve pa përjashtim, çdo familje e ka ndjerë efektin e atyre masave, ku është dashur të shpenzojmë taksa të qytetarëve prej 270-280 milionë euro deri tash për të kompensuar bizneset dhe familjet, për pasojat që kanë pasur si rezultat i atyre masave shtrënguese, ndaj duhet të bëjmë gjithçka që të mos shkojmë kah situata ku ne duhet të ndërmarrim masa.
“Prandaj, ne sot i kemi ftuar të gjitha inspektoratet dhe u dakorduam që të bëhen grupe punuese nga Inspektorati Sanitar, Inspektorati Farmaceutik, Inspektoratet e Tregut dhe Inspektoratet Komunale, në dy ndërrime, për shkak se nga sot kanë filluar edhe 75 inspektorë shtesë dhe me mbështetje të Policisë së Kosovës do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave në çdo biznes, në çdo lokal dhe në institucione, për t’u siguruar që po zbatohen këto masa”, shtoi Kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti, për më tepër tha se shembull janë bërë shkollat për të mirë realisht, pavarësisht që ka një numër të infektuarve rreth 5 për qind të atyre që janë testuar nëpër shkolla, por po mirëmbahen këto masa për shkak të angazhimit të shtuar të Ministrisë së Arsimit, të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit nëpër shkolla, dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në institucione.
Kryeministri Hoti, për fund tha se duhet të mësohemi, t’i mësojmë edhe qytetarët, institucionet dhe bizneset që të jetojnë me këtë pandemi edhe për një kohë, ndoshta edhe për një vit e sa, në mënyrë që të mos kthehemi që ta izolojmë shoqërinë, sepse do të jetë e papërballueshme edhe për buxhetin e shtetit, për bizneset dhe për çdo familje në Kosovë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...