Google ADS

Kryeministri Haradinaj: Do të bashkëpunojmë ngushtë me përpunuesit e drurit

12:36 | 6 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë sot në Konventën e Prodhuesve të Drurit.

Kryeministri Haradinaj, fillimisht falënderoi studentët, të cilët kanë krijuar modele të ndryshme për prodhimet që do të jenë “Made in Kosova”, por edhe donatorët, veçanërisht USAID-in për kontributin e tyre dhënë kompanive të cilat merren me përpunimin e drurit.

Më tutje, kryeministri Haradinaj përgëzoi të gjithë prodhuesit për punën e mirë që bëjnë duke i uruar për Konventën e Industrisë së Drurit. Duke vlerësuar lartë traditën e përpunimit të drurit, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është shquar në të kaluarën në tërë Ballkanin për këtë veprimtari.

“Jam thellë i bindur se ka shumë produkte të Kosovës dhe mjeshtër të vyeshëm, që bëjnë punë të mirë dhe të cilët kanë nxjerrë prodhime që vërtet janë për tregjet më të avancuara të botës”, theksoi kryeministri, duke shtuar se Kosova sot mund të konkurrojë në cilindo treg. Kryeministri theksoi se Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me përpunuesit e drurit dhe detyrat e saj t’i kryejë me kohë që t’ju mundësojë atyre të konkurrojnë në tregjet e botës.

“Shpreh gatishmërinë që si Qeveri e vendit të jemi bashkë në rrugëtimin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, Hashim Deshishku, tha se industria e përpunimit të drurit është njëra nga fushat e rëndësishme për ekonominë kosovare.

“Sot ne mburremi me punën e shoqatës, e cila bëri të mundur që industria e  përpunimit të drurit të njihet nga të gjithë akterët në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo
bëri që zëri i industrisë të jetë i madh dhe i fuqishëm gjithmonë duke përkrahur industrinë e drurit”, tha ai, duke shtuar se ky sektor ka dëshmuar se është i aftë
për t’u zhvilluar shpejt dhe të përshtatet me trendët e tregut të brendshëm dhe të jashtëm.

Lisa Magno, zëvendësdrejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, vlerësoi lartë zhvillimet e arritura në industrinë e përpunimit të drurit në Kosovë, duke theksuar se qeveria dhe përpunuesit e drurit duhet të bashkëpunojnë ngushtë për krijimin e vendeve të reja të punës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme