Kryeministri Haradinaj: Qeveria e Kosovës do t’i ketë në fokus bujqit

16:11 | 5 Janar 2018
M. A.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, vizitoi Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me ç’rast u prit nga ministri Nenad Rikallo dhe stafi i tij, të cilët e njoftuan për planet dhe projektet e kësaj ministrie.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj dhe ministri Rikallo, janë prononcuar për mediat e pranishme.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka uruar zëvendëskryeministrin Jevtiq dhe ministrin Rikallo për festën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Kryeministri Haradinaj tha se Ministria e Bujqësisë është e rëndësishme për shkak se menaxhon me të gjitha resurset në bujqësi dhe pylltari.

“Kjo ministri ka një buxhet që iu dedikohet bujqve. Prej këtij buxheti, 48 milionë euro u dedikohen subvencioneve dhe granteve. Njëkohësisht janë 8 milionë për infrastrukturë, që nënkupton ujitjen”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo ministri e ka edhe përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, të donatorëve, si dhe të Komisionit Evropian dhe USAID-it.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ministrin Rikallo për angazhimin dhe porositi që të gjitha subvencionet dhe grantet të shpërndahen në mënyrë të drejtë te të gjithë bujqit kosovar.

Duke shprehur përkrahjen e mëtejme për bujqit, për zhvillim të bujqësisë dhe pajisjen me ekspertizë dhe teknologji të re, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe ministri Rikallo do ta ruajnë fokusimin tek bujqit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo e njoftoi kryeministrin për aktivitetet e Ministrisë së Bujqësisë dhe për sfidat që është duke u përballur kjo ministri. Ai theksoi faktin se buxheti për bujqësinë këtë vit është rritur, dhe kjo do të mundësojë realizimin e projekteve të mbështetjes për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme