Kryeministri Haradinaj: Qeveria do të rritë partneritetin privat

12:51 | 10 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, me të cilët ka biseduar për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e partneritetit ndërmjet institucioneve, odave dhe sektorit privat në përgjithësi.
Sipas njoftimit pwr media, kryeministri Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që të jetë përkrah prodhuesve vendorë, duke theksuar përkushtimin që edhe më tutje të vazhdojë punën në reformat e përgjithshme në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, fuqizimit të sektorit privat dhe krijimit të një klime të favorshme për biznese.

Gjatë takimit, është diskutuar edhe për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Kjo është përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ndaj subjektivitetit dhe sovranitetit të Kosovës”, tha kryeministri.

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës i kanë shpalosur para Kryeministrit Haradinaj një listë të kërkesave të tyre karshi Qeverisë së vendit, për të cilat Kryeministri Haradinaj u zotua që do të angazhohet në adresimin e tyre.

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës po ashtu falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkrahjen që po i jep zhvillimit të sektorit privat dhe prodhuesve vendorë përmes lehtësirave tatimore, duke shprehur përkrahjen për taksën 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, e cila sipas tyre do t’i fuqizojë bizneset dhe prodhuesit vendorë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme