Kryeministri Haradinaj pret në takim ministrin e Shëndetësisë gjermane, Jens Spahn

13:09 | 15 Korrik 2019
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn.  

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, në këtë takim, Haradinaj është shprehur se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta fuqizuar këtë marrëdhënie, duke e konsideruar shtetin gjerman si partner serioz dhe afatgjatë, në të gjitha fushat.

“Gjermania është një nga vendet që ka dhënë më së shumti kontribut në pavarësinë e vendit dhe në procesin e shtet ndërtimit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta fuqizuar këtë marrëdhënie, duke e konsideruar shtetin gjerman si partner  serioz dhe afatgjatë, në të gjitha fushat”, kështu tha Kryeministri Haradinaj, pasi  priti në takim ministrin e Shëndetësisë të Gjermanisë, Jens Spahn.

Në këtë takim Kryeministri Haradinaj e informoi ministrin Spahn për zhvillimet e  fundit në vend, duke vënë theks në përparimet në fushën e shëndetësisë, raporton arbresh.info.

“Qeveria e Kosovës, me të drejtë e ka rritur rreth 20 për qind buxhetin për  shëndetësinë, në të gjitha nivelet e saja për vitin 2019-të, si përpjekje për ta përmirësuar këtë sektor dhe për të përmirësuar shërbimet në fushën e mjekësisë dhe  shëndetësia është ndër sektorët me prioritet në vend dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë angazhimin tonë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Ai, ka potencuar faktin  që në këtë rrugëtim, partner si Gjermania janë tejet të rëndësishëm dhe se Kosova  është vend që përveç ekspertëve të mjekësisë, mund të ofrojë më shumë edhe në  aspektin e shërbimeve mjekësore, nga këtu për vendet evropiane, me theks të veçantë për tregun shëndetësorë në Gjermani.

“Kosova ka kapacitete për të ofruar shërbime shëndetësore dhe përcjellëse edhe për Gjermaninë. Ne kemi qenë dëshmitarë që ekspertët tanë tashmë kanë shënuar rezultate  dhe suksese në Gjermani dhe vende të tjera, po ajo çka mund të bëjmë është,  bashkëpunimi konkret, që nga këtu, me ekspertë tanë, t’i ofrojmë këto shërbime për  Gjermaninë dhe ky lloj partneriteti do të jetë në interes të të dyja palëve”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, falënderoi ministrin Spahn për përkrahjen në vazhdimësi të  shtetit të tij dhënë për fushën e shëndetësisë në të gjitha fazat e zhvillimit të
këtij sektori në Republikën e Kosovës.

“Që nga paslufta, Kosova ka marrë më shumë se 650 milionë euro donacione nga Gjermania dhe një pjesë e tyre kanë qenë të dedikuara për sektorin e shëndetësisë.

Vizita juaj sot është një dëshmi se kjo marrëdhënie duhet të përqendrohet më shumë  në një partneritet. Nënshkrimi i një Deklarate të Përbashkët të qëllimit, në të  cilën, shkëmbimi i përvojave në fusha të tilla si sigurimi shëndetësor, menaxhimi  shëndetësor, kualifikimi i profesionistëve të shëndetësisë dhe mbështetja për
akreditimin dhe certifikimin e stafit infermierë janë fusha me interes, për të cilat  shprehim angazhimin tone te plote “, tha Kryeministri Haradinaj, duke përmendur,  ndër të tjera, Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, i cili është një  investim gjermano-kosovar dhe mund të shërbejë edhe në këtë partneritet.

Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar Ministrin e Shëndetësisë së Gjermanisë  për vizitën ka treguar që Qeveria, prej muajsh ka nisur reforma të përgjithshme në  vend, të cilat përfshijnë edhe reformat në shëndetësi dhe arsim, me qëllim të  avancimit të këtyre sektorëve dhe vizita e sotme është rast i mirë për t’i parë nga  afër këto të arritura dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërshtetërorë./Arbresh.info

Të ngjashme