Kryeministri Haradinaj nuk shkon nesër në Shkup?

19:29 | 15 Tetor 2017
Arbresh.info

Nesër në Shkup do të mbahet Samiti 100, ku pritet të marrin pjesë, përveç mbi 150 udhëheqësve të bizneseve nga Evropa Juglindore, edhe kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Samitin 100 janë ftuar edhe ministra ballkanas dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian.

Ftesë për pjesëmarrje në këtë ngjarje ka marrë edhe shefi i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj.

Por, megjithëse është i ftuar, gjasat janë të vogla që kryeministri i Kosovës të shkojë në Shkup.

Kjo, për shkak të agjendës së ngjeshur të Haradinajt në Kosovë, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës për Gazetën Express.

Haradinaj nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në samitin e së hënës, duke e lënë në pikëpyetje shkuarjen e tij në kryeqendrën maqedonase.

Lidhja, në fusha të ndryshme dhe në nivele të ndryshme, është tema kryesore e Samitit 100 në Shkup.

Një nga folësit kryesorë do të jetë eurokomisarja për Transport, Violeta Bulc, të cilës do t’i bashkohen liderë të njohur të biznesit, përfaqësues të kompanive të njohura nga rajoni, si dhe përfaqësues nga institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim, Korporata Financiare Ndërkombëtare, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore dhe shumë përfaqësues të tjerë të sektorit të biznesit.

Samitin zyrtarisht do ta hapin kryetari i Bordit të Samitit 100, Zhivko Mukaetov, dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ndërsa do të mbahet edhe panel me kryeministrat e vendeve të rajonit.

Për dallim prej Haradinajt, pjesëmarrjen në këtë debat, i cili do të mbahet pasnesër, raportohet të kenë konfirmuar kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme