Google ADS

Kryeministri Haradinaj flet për dorëheqjen e Gent Begollit nga pozita Drejtor i Telekomit

17:21 | 2 Nëntor 2018
Arbresh.info

Drejtori i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli para disa ditësh ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Begolli ishte zgjedhur drejtor i Telekomit në muajin qershor dhe dorëheqjen sot ia kishte ofruar para Bordit të Telekomit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për largimin e Begollit nga kjo pozitë. Sipas të parit të Qeverisë, Begolli dha dorëheqje për shkak të vështirësive në Telekom.

“Me Gent Begollin kam bisedu pak para se të largohet nga detyra dhe ka shpjeguar sfidat në marrjen e vendimeve. Është e vështirë të merren vendime dhe për probleme të kompanisë Genti ka thënë se vizioni për me zhvillu kompaninë nuk është i sigurt në këto rrethana dhe ka dashur të largohet nga detyra dhe unë besoj se Genti mund të kryejë punë të shumta që të ketë sukses”, tha Haradinaj.

Arbresh.info pati raportuar për shkaqet e dorëheqjes së Begollit nga ky post.

Burime të portalit kanë thënë për portalin se arsyeja e dorëheqjes së Begollit nga kjo pozitë është për disa shkaqe.

Një ndër shkaqet janë edhe punëtorët të cilët janë të punësuar me kontrata mbi vepër në këtë ndërmarrje.

“Janë 250 deri 300 punëtor me kontratë mbi vepër të cilët kanë hy në punë në tre muajt e fundit. Kjo ka rritur shpenzimet për staf për 600,000 euro, dhe është komplet kundër kërkesave të Qeverise. Genti, edhe pse një numër të madh të tyre i ka futur vet në punë, ka hezituar që t’ua bëjë kontratat e rregullta. Në anën tjetër kërkesat e AAK-së kanë qenë të vazhdueshme me hy njerëz të rinj në punë, dhe atyre që janë brenda me ua rrit pagat”, ka thënë ky burim.

Po ashtu sipas këtij burimi, Begollin nuk e kishte përkrahur Qeveria për marrjen e kredisë për investime në Telekom.

“Në anën tjetër një proces i ristrukturimit ka dështuar, sepse Gent Begolli ka thënë se Qeveria nuk e ka përkrahur. Gjithashtu sipas tij Qeveria nuk e ka përkrahur as në marrjen e kredisë në vlerë prej 30 milion euro për investime në Telekom”, thekson burimi.

E sipas këtij burimi njëra ndër arsyet e dorëheqjes së Begollit nga posti ishin edhe grupet e interesit siç tregon ai që egzistonin në Menaxhmentin Ekzekutiv të Telekomit.

“Ai ka qenë në presion për ta ndëprerë kontratën me Z-Mobile, dhe i njëjti nuk ka pas guxim. Por, problemi kryesor ka qenë se grupet e interesit që janë se paku dy në Menaxhmentin Ekzekutiv të Telekomit, ia kanë bërë të pamundshëm qëndrimin aty. Begolli ka qenë vetëm një figurë aty për të rehatuar familjarët e tij. Për pjesën tjetër ai ka qenë vetëm një kukull që nuk është pyetur për asgjë, vetëm se letrat iu kanë vënë përpara për t’i nënshkruar për çka ai nuk ka qenë i gatshëm”, tregon ky burim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme