Kryeministri Haradinaj: Do ta ndihmojmë SOS fshatin për misionin e shenjtë që e ka

21:23 | 30 Nëntor 2018
A. B.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Gala mbrëmjen humanitare të SOS Fshatrave të Fëmijëve, të përkahur nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, për mbledhjen e fondeve me të cilat ndihmohen fëmijët pa përkujdesje prindërore, të braktisur dhe fëmijët në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit, në veçanti Drejtoreshën Ekzekutive të SOS Fshatrave të Fëmijëve, Nezahate Salihu, si më meritoren që sonte të gjithë janë bërë bashkë, tha se bashkëndjen me të gjithë për faktin se në këtë ngjarje, ishte në dy cilësi, e para si një prind, ku fëmijët i janë rritur në periudhat e tij të vështira, dhe e dyta si kryetar i Qeverisë.Duke shprehur falënderim të madh për misionin që ka SOS fshati, kryeministri Haradinaj tha se duke qenë në krye të Qeverisë, do ta shfrytëzojë një të drejtë që e ka, që të ndajë një shumë të caktuar për SOS fshatin.

“Dhe këtë do ta bëjë me respektin më të madh në emër të popullit, për punën kaq humane të SOS fshatit që e bëni. Njëkohësisht do ta vazhdojmë përkrahjen e vazhdueshme për ju, sepse fakti se ju përkujdeseni për fëmijët pa prindër, fëmijët e braktisur, ju e kryeni një mision human, të shenjtë. Në emër të të gjithë neve, në emër të popullit tonë ju falënderojmë nga zemra për këtë punë që e bëni. Po ashtu, kushdo prej nesh që e merr mundësinë ose e shfrytëzon rastin që të përkrahë SOS fshatrat tona, të përkrah një familje për fëmijët pa familje lumi ju, bravo ju qoftë”, tha kryeministri Haradinaj.

Një falënderim të posaçëm, kryeministri Haradinaj e pati edhe ndaj prodhuesve vendorë që i kanë përkrahur SOS fshtrat, dhe kërkoi që në këtë mënyrë të jenë bashkë aty ku është më me rëndësi, ku ndjehet më së shumti, dhe ata, siç tha ai, janë fëmija.
“Duke folur edhe si prind por edhe si kryetar i Qeverisë, i ftoj të gjithë që në të vërtetë të përkrahim SOS fshatrat e Kosovës, të përkahim fëmijët pa familje, që t’iu japim mundësinë që të kenë përkujdesje”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, Anita Haradinaj, tha se duke folur në cilësinë e një nëne, që i ka rritur fëmijët e saj në SOS dhe i ka edukuar aty, SOS, përveç se është një institucion edukativ, është një familje e madhe për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij.

Drejtoresha Ekzekutive e SOS Fshatrave të Fëmijëve, Nezahate Salihu, tha se mbrojtja dhe sigurimi i mirëqenies së fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve, përgjegjësi e familjes, shkollës, institucioneve, bizneseve dhe komunitetit. “Ne besojmë që përmes kësaj mbrëmje të dërgojmë mesazhin se ne si shoqëri duhet të veprojmë, duhet të besojmë në fëmijët tanë”, tha znj. Salihu, duke kërkuar mbështetje për fëmijët. Para të pranishmëve foli edhe Astrit Panxha, Drejtor Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës i cili tha se prodhuesit do të jenë partner afatgjatë i SOS Fshatrave të Fëmijëve të Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme