Google ADS

Kryeministri e kërkon ndihmën e opozitës për ta zgjedhur presidentin

12:28 | 11 Tetor 2020
L G

Për jetëgjatësinë e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti është e domosdoshme ndihma e opozitës. Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri që do ta pasojë Hashim Thaçin, e ka bërë kryeministrin që të kërkojë ndihmë nga partitë opozitare.

Hoti e ka pranuar se për çështjen e presidentit u duhet një marrëveshje e re. Konsensusi për këtë çështje është përfolur se mund ta përfshijë PDK-në në Qeveri, të cilës do t’i takonte posti i presidentit dhe dy ministri.

“Kur e kemi bërë koalicionin qeverisës nuk kemi biseduar për pozitën e presidentit. Për emrin e presidentit duhet të dalim përtej koalicionit qeverisës. Për të gjetur një emër, pra, duhet të ndërtojmë një konsensus përtej këtyre votave që i kemi në Kuvend, sepse si koalicion qeverisës, ne nuk mund ta zgjedhim të vetëm presidentin”, ka thënë Hoti dje në RTK.

Për nënkryetarin e PDK-së, Enver Hoxhajn, “oferta” dy ministri dhe presidenti është joserioze. Ai ka thënë se këtë nuk e kanë diskutuar në kryesi të partisë, duke mos e marrë seriozisht.

“Në kryesi të PDK-së nuk është shtruar kjo temë në tavolinë. As tema e presidentit, e as tema e zgjerimit të qeverisë, as riformatizimit të Qeverisë nuk kanë qenë tema të PDK-së në shumë mbledhje që i kemi pasur gjatë kësaj kohe… asnjëherë nuk ka qenë bisedë serioze. Ne nuk duam t’ia kufizojmë imagjinatën askujt në këtë qytet ta zhvillojë, por asnjëherë nuk ka qenë temë dhe nuk është serioze. Dy ministri me 24 deputetë. Sa deputetë i ka LDK-ja në Kuvend? 70. Ata i kanë 20 e diçka dhe nuk e kemi marrë shumë seriozisht”, ka thënë Hoxhaj.

Ai e ka konsideruar të padrejtë dhe të pamoralshme përmendjen e tij dhe të ambasadores Vlora Çitakut si opsione për ta pasuar Hashim Thaçin, përderisa ky i fundit e mban ende atë pozitë.

“Kjo temë nuk është shtruar asnjëherë në PDK, as për mua, as për Vlorën por është më shumë opinion i mediave dhe njerëzve të caktuar. Unë personalisht e shoh të padrejtë dhe të pamoralshme kur e kemi presidentin në detyrë, Hashim Thaçin”, ka thënë Hoxhaj.

Kandidatura e parë për president të vendit kishte ardhur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai dhe partia e tij vazhdimisht janë shprehur të vendosur për ta kërkuar deri në fund këtë post. Madje, kryetari i AAK-së ka paralajmëruar se do të dalin nga Qeveria nëse në këtë synim nuk merr mbështetjen e nevojshme nga partnerët e koalicionit. /Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme