Kryeinspektori i Punës përlotet para largimit nga ky institucion

10:13 | 7 Qershor 2019
Arbresh.info

Nën emocione të mëdha dhe gati i përlotur kryeinspektori i Inspektoratit te Punës, Basri Ibrahimi të premten ka mbajtur konferencën përshëndetëses pas emërimit në pozitën e krye shefit ekzekutiv të Trepçës.

Ibrahimi i cili për 9 vite ka qenë në krye të Inspektoratit të Punës ka thënë se bashkë me stafin kanë arritur që Inspektorati të marrë vendime të pakontestueshme, shkruan arbresh.info.

“Në momentin kur unë kam dhënë në pozitën e kryeshefit të Inspektoratit të Punës, ky institucion ka qenë më shumë këshillëdhënës sesa me vendime të tjera, ne kemi arrit që bashkë më kolegët të krijojmë një institucion kredibil dhe vendimet e Inspektoratit janë të pa kontestueshme qoftë ne sektorin publik apo në atë privat”, ka thënë ai.

Kryeinspektori në largim ka thënë se ende nuk është i kënaqur me raportimin për aksidentet dhe ankesat në vendin e punës.

“Vitin e kaluar kemi pas mbi 1 mijë e 700 ankesa edhe pse ende nuk jam i kënaqur sepse ende duhet punë, lajmërimi i aksidenteve në vendin e punës edhe në vitet paraprake ka qenë i vogël dhe gjithmonë e kam deklaruar se nuk lajmërohen të gjitha, vitin e kaluar kemi pas 125 aksidente të raportuara dhe kemi ndërmarrë veprime ndaj të gjithëve”, ka shtuar ai.

Ai ka uruar që pasardhësi i tij të punoj edhe më shumë se ai.

“Uroj që edhe në të ardhmen të mos ketë ndikime politike dhe uroj që edhe pasardhësi im të vazhdoj edhe më mirë sesa unë edhe profesionalisht edhe më energjik sepse ka nevojë për ngritje”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka falënderuar gjithashtu ministrat dhe bashkëpunëtorët e tij ndërsa u ka kërkuar që të punojnë edhe më shumë në respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe fuqizimin e Inspektoratit të Punës.

Ndryshe për Basri Ibrahimin është dita e fundit e punës në pozitën e kryeshefit të Inspektoratit të Punës pasi më 27 maj të këtij viti ai është emëruar kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes Trepçës./Arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme