Kryediplomatja gjermane: Të përshpejtohen negociatat për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në

20:02 | 1 Korrik 2022
L G

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, konsideron që diskutimi për afrimin e vendeve të  duhet të përshpejtohet.

Nuk duhet humbur më kohë në përpjekjet për integrim dhe harmonizim, tha Baerbock të premten, pas bisedimeve në Berlin me homologen e saj sllovene Tanja Fajon.

“Në Ballkan nuk duhet të krijohet asgjë ku Rusia apo aktorë të tjerë mund të vendosen”, tha Baerbock.

Përveç Rusisë, ndikim më të madh në Ballkanin Perëndimor po kërkon Kina..

“Ballkani Perëndimor është gjeografikisht në mes të BE-së. Duhet që përfundimisht t’i sjellim njerëzit e Ballkanit Perëndimor në qendrën tonë politike”, kërkoi Baerbock.

Sipas ministres gjermane, Bashkimi Evropian duhet të kishte mbajtur premtimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Është në interesin tonë strategjik dhe gjithashtu një çështje e besueshmërisë”.

Negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë për anëtarësim në BE, janë duke vazhduar.

Në mars të vitit 2020, Këshilli Evropian u pajtua për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por Bullgaria e bllokoi atë vendim bazuar në akuzat se gjuha maqedonase është thjesht bullgare me një emër tjetër dhe se Shkupi nuk respekton lidhjet kulturore dhe historike me bullgarët.

Megjithatë, javën e kaluar Parlamenti i Bullgarisë i dha qeverisë dritën jeshile për miratimin e kornizës së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Ky veprim ndodhi pas një ndryshim në tekstin e kornizës negociuese, e cila do të garantonte të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do ta detyronte Shkupin të mbante marrëdhënie të mira me Bullgarinë./rel

Të ngjashme