Kryediplomatja gjermane: Është në dorën e Prishtinës dhe Beogradit ta zgjidhin konfliktin

16:07 | 6 Tetor 2023
K.B

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premten në Tiranë se “çelësi i zgjidhjes së konfliktit” mes Kosovës dhe Serbisë është në dorën e Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, dhe komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, Baerbock tha se “nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç faktit që njerëzit të jetojnë në paqe me fqinjin e vet”.

Komentet e saj vijnë më shumë se dy javë pas një sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si pasojë.

Sulmi në fshatin Banjskë në veri ndodhi pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut më 14 shtator në Bruksel.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Pak ditë pas sulmit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ngritën shqetësime se Serbia po zhvendoste trupa ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo u mohua nga Serbia.

Baerbock u bëri thirrje dy vendeve “të mos e lëmë të shkuarën të ndikojë dhe të mos dërgohen trupat ushtarake në kufijtë e fqinjit”.

Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka filluar t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.

Baerbock tha se ia ka shprehur këtë shqetësim për situatën ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjatë një bisede me të, dhe se i ka kërkuar “uljen e tensioneve dhe largimin e trupave nga kufiri”.

“Ju pyetët si ishte reagimi gjatë kësaj bisede. Keni parë që trupat në kufi janë reduktuar. Kur në vend të parë është dialogu jo përshkallëzimi arrijmë hapa të mirë përpara. Është e rëndësishme që të mund të mbërrijmë në depërshkallëzimin e situatës. Për këtë qëllim jemi duke zhvilluar biseda me të gjitha palët e përfshira”, tha ajo.

Ndërkohë, komisionari i BE-së, Oliver Varhelyi, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, si dhe që autorët e sulmit sillen para drejtësisë “dhe për këtë autoritetet serbe duhet të bashkëpunojnë me BE-në.”

Igli Hasani kërkoi nga Serbia që ta zhvillojë një hetim “serioz lidhur me grupin kriminal që sulmoi Kosovën”. Ai tha se formati i dialogut duhet të ngrihet në nivelin e “një konferencë ndërkombëtare”./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme