Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.
Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Në këtë takim po merr pjesë edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha para takimit se Kosova është partnere e përkushtuar e Bashkimit Evropian.
“Republika e Kosovës do ta vazhdojë rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe shpresojmë që së shpejti premtimet për integrim të Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të qartë dhe të bëhen realitet”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se shpreson se në takim do të bisedohet edhe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimit.
“E dimë se ne Ballkanin Perëndimor kemi shumë sfida në aspektin e paqes dhe sigurisë”, theksoi ajo duke e përmendur edhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.
Gjatë arritjes në takim, Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.
“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, tha ai.
Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse sipas saj, nuk duhet të ketë zona të zymta në sigurinë në Evropë.
“Jam shumë e lumtur që ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këtu me ne përsëri për të shkëmbyer ide. Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”, tha ajo.
Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.
Shtetet e tjera, sikurse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka obligim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Kjo gjë është vlerësuar nga BE-ja.
Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian.
Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit.
Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.
Në kohën kur rrisin bashkëpunimin me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga BE-ja kërkojnë që edhe brenda rajonit të ketë një bashkëpunim të madh dhe zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit të problemeve që këto shtete kanë mes tyre.
Kjo veçmas vlen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas diplomatëve të BE-së, marrëdhëniet jo të mira mes këtyre dy shteteve e rëndojnë edhe situatën në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Para se të takohen me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, ministrat e Jashtëm të BE-së do të zhvillojnë një takim në Këshillin e Punëve të Jashtme, ku temë kryesore do të jetë konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës. Lufta atje ka nisur më 7 tetor, pasi Hamasi – që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuar dhe BE-ja – nisi sulme në jug të Izraelit./REL
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...