Spitalet rajonale po përballen me vështirësi për furnizim me oksigjen, ku po trajtohen pacientët e infektuar, e të cilët kanë probleme me frymëmarrje, gjatë kësaj kohë të pandemisë COVID-19.
Vështirësi për furnizim me oksigjen ka Spitali i Gjilanit, Spitalit të Pejës i është dashur të bëjë një plan të dytë në rast të vonesës së furnizimit, kurse ai i Prizrenit ka vendosur të përdorë oksigjen të lëngshëm, raporton arbresh.info.
Furnizimi me oksigjen në Spitalin e Gjilanit po bëhet në baza ditore. Kështu tha Nisret Hajrullahi, drejtor i këtij spitali.
Sipas tij, sfidë pos tjerash mbetet edhe sigurimi i oksigjenit në këtë spital.
“Kjo është një breng që nga fillimi i pandemisë kemi problem me furnizim por megjithatë dje dhe sot furnizimi është më i mirë. Rezerva nuk kemi, furnizimi bëhet në baza ditore. Kemi kërkuar që të na përkrahin në sasi më të madhe me oksigjen dhe kemi gjetur mirëkuptim. Në këtë spital janë 130 shtretër të ndarë për pacientët me COVID-19. Për momentin janë 130 shtretër të ndarë për pacientët me COVID-19 , ku aktualisht janë 87 pacientë të hospitalizuar”, tha ai.
Edhe në Spitalin e Pejës sfida më e madhe është furnizimi me oksigjen.
Zëdhënësi i spitalit, Naim Sahiti, tha se kanë bërë një plan të dytë në rast të vonesës së oksigjenit.
“Gjatë kohës së pandemisë deri më tani Oksigjen kemi pasur asnjëherë nuk ka munguar por furnizimi është me vështirësi. Disa lëvizje i kemi bërë edhe ne, pasi jemi furnizuar me oksigjen koncentrator, pajisje të cilat i kemi si variant të dytë”, tha Sahiti.
Për dallim nga spitalet tjera rajonale, Spitali i Prizrenit ka zgjedhur të përdorë për pacientët me COVID-19 oksigjen të lëngshëm.
Sipas drejtorit, Afrim Avdaj, ky spital është i vetmi që ka rezervë oksigjeni, prej 10 tonësh.
“Furnizimi me oksigjen aktualisht është i mirë, pasi ne jemi spitali i vetëm që furnizohemi me oksigjen të lëngshëm dhe kemi 10 tonë. Dhe deri më tani spitali jonë nuk ka pasur problem me furnizim të oksigjenit. Gjithsej janë 253 shtretër të ndarë për pacientë me COVID-19 në këtë spital’’, ka thënë ai.
Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka kontratë aktive për furnizim me oksigjen me “Medical Group”. Kjo njëherësh është e vetmja kompani që furnizon me oksigjen këtë institucion.
Ndërkohë, spitalet rajonale bëjnë kërkesë në SHSKUK, varësisht nga nevoja që kanë dhe furnizohen përmes këtij institucioni me oksigjen.
Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 41.299 raste të të infektuarve me koronavirus, prej të cilëve 1.062 kanë vdekur ndërsa 26.453 janë shëruar./A.Zeka/arbresh.info/
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...
Drita e mbyll si kampione stinorin vjeshtor, Ballkani e ndje...
Kurti: Kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit
“Boll more më”, Xheneta me ashpërsi i kthehet Rovenës, ja re...
Begaj viziton Mirditën, inkurajon binjakëzimin dhe bashkëpun...
Fitojnë Drita e Ballkani