Kreu i Kuvendit çek në mes të Beogradit: Mos prisni ta tërheqim njohjen për Kosovën

16:30 | 2 Tetor 2019
L G

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Çeki, Radek Vondraçek, ka thënë se në shtetin e tij asnjëherë nuk ka pasur një qëndrim unik sa i përket pavarësisë së Kosovës, megjithatë thotë se nuk mund të pritet një tërheqje e njohjes për Kosovën.

Këto deklarata Vondraçek i ka bërë gjatë një adresimi në Parlamentin e Serbisë në një seance speciale, raporton agjencia e lajmeve Beta.

 “Njohja e Kosovës është përcjellë me mosmarrëveshje të ndryshme në Çeki, dhe asnjëherë nuk e ka pasur përkrahjen e shumicës së shoqërisë. Dhoma e Përfaqësuesve gjithashtu kishte bërë thirrje që qeveria të kërkojë një zgjidhje alternative, dhe ta shihte të ardhmen përmes anëtarësimit të të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian. Parlamenti nuk kishte rekomanduar që Qeveria të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Por në fund një gjë e tillë u vendos nga një lloj presioni dhe u ndikua nga disa argumente të cilat nuk ishin të sakta dhe korrekte, e që koha i ka treguar”, ka thënë Vondraçek.

Teksa ka folur për deklaratat e Zemanit në Beograd për heqjen e njohjes, Vondraçek ka thënë se një deklaratë e tillë mund të nxisë në kërkimin e zgjidhjeve të reja, por jo edhe që  të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor të qëndrimit të Çekisë për Kosovën.

“Nuk mund të pritet ndonjë ndryshim radikal i Qeverisë së Çekisë në çështjen e Kosovës, sepse bazuar në shumë ekspertë, një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ndër të tjera Vondraçek.

Tutje ai ka thënë se përkrahin Serbinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke potencuar se Evropa nuk mund të jetë stabile pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq ka thënë se ajo pret mbështetjen e Çekisë për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë me qëllim të gjetjes së një zgjidhje kompromisi.

Për çështjen e njohjes së Kosovës kanë folur edhe kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Tomas Petriçek. Të dy kanë thënë se nuk ka asnjë arsye që shteti i tyre të ndryshojë qëndrim karshi Republikës së Kosovës./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme