Përkundër paralajmërimeve për rritjen e numrit të tyre, aktualisht e gjithë Kosova ka vetëm 35 inspektorë të punës.
Në Inspektoratin e Punës thonë se këtë vit planifikohet të rekrutohen inspektorë të rinj. Shtimin e numrit të inspektorëve e kërkojnë edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, që thonë se kjo është e domosdoshme.
Mbi 6300 (gjashtëmijë e treqind) është numri total i inspektimeve që ka realizuar Inspektorati i Punës gjatë gjithë vitit 2022. Nga këto inspektime, 860 u bënë pas ankesës së palëve. Përveç këtyre statistikave, në Raportin vjetor të punës së IP-së, thuhet se vitin e kaluar ishin vetëm 37 inspektorë të punës.
Numri i inspektorëve dhe inspektimeve do të mund të ishte më i madh nëse do të fillonin punën 17 inspektorë të rinj, për çka pati një konkurs.
Ndryshe nga planifikimet, jo të gjitha pozitat u plotësuan, tregon për Radio Kosovën kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
“Nga numri i kërkuar për shtimin e inspektorëve të punës, nga ajo që ne kemi bërë shpallje të konkursit, në korrik të vitit 2022, punën e kanë filluar vetëm 8 inspektorë. Pra, nuk është arritur të pranohen inspektorë të punës në numrin e kërkuar. Arsyeja është se nuk ka pasur kandidatë të interesuar, pra nuk kanë konkurruar. Por, ju njoftojmë se fazën e rekrutimeve të reja për inspektorë të punës do ta fillojmë shpejt, pasi ka mbetur që Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i MPB t’i bëjë disa përgatitje”, tha ai.
Tutje, Nikçi tha se aktualisht janë 35 inspektorë të Punës. Ndërkohë, në Raportin e punës së IP-së për vitin 2022 thuhet se “janë planifikuar dhe buxhetuar 100 inspektorë të rinj të punës për vitin 2023”.
I shqetësuar me trajtimin e punëtorëve shprehet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai i tha Radio Kosovës se urgjentisht duhet rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që shkeljet e të drejtave të punëtorëve të pakësohen.
“Neglizhenca, mospuna, por edhe numri i vogël i inspektorëve të punës, po bëjnë që gjithë këtë barrë mbi kurriz të tyre të bartin punëtorët e sektorit privat, të cilët trajtohen keq me paga, trajtohen keq me Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu edhe për sa i përket zbatimit të Ligjit të punës. Shteti, me këtë numër të inspektorëve, pronave të kompanive ua ka lanë duart e lira që të bëjnë gjithçka që dëshirojnë me punëtorët”, tha ai.
Për shtimin e numrit të inspektorëve të punës ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili më herët kishte thënë se gjatë mandatit të tij synon pesëfishimin e inspektorëve, me qëllim të garantimit të të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të kushteve të punës./rtk/
Kryeministri Kurti mori pjesë në natën hapëse të ”Pris...
Aksident masiv në dalje të tunelit Elbasan-Tiranë, përplasen...
Tërmeti i fortë godet Turqinë, sa ishte magnituda
Hajnat vjedhin para dhe stoli ari në një shtëpi në Zveqan
Policia gjen drogë brenda burgut të Dubravës
Të shtëna me armë zjarri në Malishevë, policia arreston tetë...