Google ADS

Krejt çka ndodhi në sulmin terrorist, Sveçla thekson se është sulm i planifikuar nga grupe profesioniste

21:18 | 30 Nëntor 2024
R J

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmi i fundit terrorist ku u dëmtua rëndë kanali i ujit Ibër Lepenci, janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia.

Kështu tha ai gjatë një konference të jashtëzakonshme të mbajtur  në Qendrën e Njësive Speciale Enver Zymeri në Mitrovicë, shkruan Arbresh.info

Sipas Sveçlës, ky sulm është sulm i organizuar dhe i planifikuar nga grupe profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste, që kanë pasur synim të maksimizohet dëmtimi, në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Sveçla shtoi se institucionet e Kosovës, si dhe Policia e Kosovës do të vazhdojë me masat shtesë në shkallë vendi, e po ashtu edhe në veri të vendit, me qëllim të parandalimit të sulmeve të tilla terroriste, ruajtjes së sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Postimi i plotë:

Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale e terroriste, siç janë sulmet e fundit me granata ndaj stacionit policor dhe Komunës, e tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike, ku u dëmtua rëndë kanali iujit Ibër Lepenci, janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia, e ne për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin.

Pas këtij sulmi me eksploziv i cili cilësohet si një ndër sulmet më të mëdha ndaj infrastrukturës kritike, përmes së cilës bëhet ftohja e termoelektranave në Obiliq, edhe furnizimi me ujë të qytetarëve të shumë komunave, përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës, të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës kanë bashkërenduar aktivitetet e tyre në terren.

Ky sulm terrorist nuk është vetëm një sulm i rëndomtë, por është një sulm i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janëprofesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste, e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike, pra synimi i tyre ka qenë të maksimizohet dëmtimi, në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Siç është bërë tanimë e ditur, pas hetimeve intesivetë hetuesve policorë, sot në orët e mëngjesit në dhjetë lokacione në veri të vendit janë realizuar kontrolle me që rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale e terroriste.

Kontrolli i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit, eksplozivit, pajisjeve të ndryshme, përfshirë emblema e dhjetëra uniforma e pajisje ushtarake etj, të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me aktet kriminale.

Kjo dëshmon se Qeveria e Kosovës me institucionet e saja nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen e të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike të Kosovës.

Puna e palodhshme, Angazhimi dhe Përkushtimi i vazhdueshëm i zyrtarëve policorë, i inxhinierëve, ekspertëve, dhe të gjithë punëtorëve të institucioneve të Kosovës, ka bërë që të arrihetsanimi deri në një masë i dëmit, si dhe të arrestohen të dyshuarit e të konfiskohet i gjithë ky arsenal armësh.

Qeveria e Kosovës dhe ne si Ministri e Punëve të Brendshme, do të vazhdojmë t’i mbështesim në çdo aspekt institucionet tona, Policinë e Kosovës, Inteligjencën, Emergjencat dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që të parandalohen aktet e tilla terroriste dhe të zbardhet plotësisht e vërteta e këtij sulmi, të zbatohet drejtësia dhe të dyshuarit të marrin dënimet e merituara.

Institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës do të vazhdojë me masat shtesë në shkallë vendi, e po ashtu edhe në veri të vendit, me qëllim të parandalimit të sulmeve të tilla terroriste, ruajtjes së sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Dua të falënderoj mediat e qytetarët për bashkëpunimin e ofruar dhe njëkohësisht ftoj të gjithë që tu referohen vetëm informacioneve zyrtare, si dhe për çfarëdo informate që posedojnë e që ndërlidhet me sigurinë u lutemi të lajmërojnë Policinë./Arbresh.info/

 

Të ngjashme