Krasniqi viziton familjen e Afrim Bunjakut: Ishte një simbol i guximit, besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut

13:02 | 24 Shtator 2024
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe disa deputetë të tjerë të kësaj partie kanë vizituar familjen e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në përkujtim të njëvjetorit të rënies së tij.

Krasniqi tha se Afrim Bunjaku është më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, duke thënë se ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut, shkruan Arbresh.info

Krasniqi theksoi se Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë.

Postimi i plotë:

Sot, në njëvjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku, për të nderuar sakrificën e tij sublime, vizituam familjen Bunjaku dhe bëmë homazhe pranë varrit të tij në Samadrexhë të Vushtrrisë. Guximi vetëmohues i Afrimit në shërbim të atdheut, ka gdhendur përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës.

Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza.

Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë.

Sot, krahas nderimit për Afrimin, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për familjen Bunjaku, dhembjen e së cilës e ndanë secili qytetar atdhedashës i shtetit tonë.

Kosova – e lirë dhe e përjetshme falë heronjve si Afrim Bunjaku. Lavdi!/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme