Krasniqi: Vendimin për karantinim të komunave në veri e mori Gjuriqi, jo Qeveria

15:33 | 5 Prill 2020
L G

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka përgënjeshtruar deklarimet e djeshme të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se ai ka marrë vendim për futjen në karantinë të Mitrovicës së veriut e Zveçanit e jo Serbia.

Deputeti i PDK-së ka thënë se ministri Vitia mashtroi qytetarët sepse e detyroi Albin Kurti e Xhelal Sfeçla.

Kjo pasi siç e shpjegon Memli Krasniqi në faqen e tij në Facebook, ministri nuk mund të merr vendime të tilla por vetëm Qeveria dhe pardje nuk ka pasur asnjë mbledhje të Qeverisë.

Krasniqi tha se vendimin për orën policore në veri dhe për karantinim e ka marrë Marko Gjuriq e jo Albin Kurti.

Krasniqi e ka pyetur ministrin Vitia se pse ai me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën e Xhelal Sfeçlën morën vendim dhe i dhanë leje Beogradit të dërgoj qindra personel shëndetësor për serbët e Kosovës dhe pse Qever ia e Kosovës nuk e zbatoi reciprocitetin për të dërguar mjekë nga Kosova në Luginë të Preshevës për tu dalë në ndihmë shqiptarëve atje?

Deklarata e plotë e Memli Krasniqit:

Më erdhi keq nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilin shefat e tij, Albin Kurti e Xhelal Sveçla, mbrëmë e detyruan të dalë në një konferencë për media – për t’i mashtruar qytetarët e shqetësuar lidhur me situatën në veriun e vendit.

Ministri Vitia tha se vendimin për karantinimin e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit e ka marrë ai si Ministër i Shëndetësisë. Çfarë absurdi! Nëse Ministri i Shëndetësisë paska kompetencë për vendime të karantinimit, pse atëherë për karantinimin e Klinës, Vitisë e Malishevës, kur u goditën të parat nga pandemia, mori vendim Qeveria në mbledhje të jashtëzakonshme? Në cilin nga këto dy raste të ndryshme ka qenë vendimi i ligjshëm, e në cilin i paligjshëm, meqë po flasin për dy raste të ndryshme, e për një çështje të njëjtë?

Pastaj, nëse vërtet Ministri do ta kishte marrë vendimin për këtë, me çfarë standardi ka vendosur, kur s’ka as informacion zyrtar për numrin e të infektuarve në komunat veriore? Nëse në Zveçan janë vetëm gjashtë të infektuar, siç raportohet, pse nuk janë karantinuar komuna të tjera në Kosovë që kanë numër më të madh se kaq të të infektuarve?

Ministër, nuk kam pritur që edhe ju do të pranoni të bëheni vegël në duart e mashtruesve.

E vërteta është se ju as s’keni vendosur për karantinim të dy komunave veriore, e as për “orën policore” që tash e disa ditë ka filluar të zbatohet me urdhër të Qeverisë së Serbisë. Këto vendime, për fat të keq, pa e pyetur fare Qeverinë e Kosovës, i kanë marrë Marko Gjuriq dhe të ashtuquajturat “shtabe të krizës” të këtyre dy komunave. Për këtë, ju mund të jeni informuar nga mediat, njëjtë si ne. Në ndërkohë , ju mund të keni bërë gjoja-vendime, të njejta me ato të Gjuriqit, nga pazotësia për të bërë çfarëdo tjetër. Por, vendimet në fjalë janë marrë më shumë se 24 orë para se t’ju detyronin të deklaroheshit për këtë çështje. Andaj, mos i mashtroni qytetarët. Tregojeni të vërtetën!

Krejt çka keni vendosur ju, Albin Kurti, Xhelal Sveçla e Glauk Konjufca për komunat veriore është se keni pranuar t’ia dorëzoni Serbisë menaxhimin e pandemisë në këto komuna. Për më shumë, jo vetëm në komunat veriore, por kudo ku jetojnë serbët në Kosovë.

Rreth 300 zyrtarë serbë kanë hyrë në Kosovë me lejen tuaj. Madje, pa u verifikuar nëse janë të gjithë vërtet vetëm punëtorë shëndetësorë. Kjo përbën rrezikimin më të madh të sigurisë në Republikën e Kosovës, së paku që nga shpallja e pavarësisë. Çka i thonë kësaj, përveç dorëzim dhe kapitullim?

Si nuk kërkuat, së paku, që edhe Kosova të dërgojë mje kë e infermierë në Luginën e Preshevës? A nuk është ky reciprocitet? Pse nuk menduat për shqiptarët e Luginës, të cilët as në kohë të pandemisë nuk e kanë kujdesin e duhur nga institucionet e atjeshme?

As sot e kësaj dite, Ministria e Shëndetësisë nuk ka informata se sa qytetarë të Kosovës, me etni serbe, janë të infektuar nga virusi COVID-19. Ata nuk figurojnë në regjistrat zyrtare të Republikës së Kosovës. Pse, Ministër? Kush ua ndaloi këtë? Me kë bëtë marrëveshje që të hiqni dorë nga përgjegjësia institucionale, por edhe morale, që keni ndaj gjithë qytetarëve të Kosovës? Si mund ta arsyetoni këtë kapitullim?

Pandemia do të kalojë, por kurrë nuk do të harrohet e vërteta e turpshme që ju ia dorëzuat zyrtarisht Serbisë administrimin shëndetësor të të gjitha komunave me shumicë serbe të vendit tonë. Pasojat e këtij dorëzimi do të jenë afatgjata dhe ju do keni përgjegjësi historike për goditjen që i a keni dhënë sovranitetit shtetëror të Republikës se Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme