Krasniqi uron Ditën e Çlirimit: Liria nuk mund të merret si e mirëqenë, atë duhet mbrojtur çdo ditë

12:27 | 12 Qershor 2024
E.K

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke thënë këto 25 vjet na kanë mësuar se Liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë dhe se atë duhet mbrojtur çdo ditë.

Kryetari Krasniqi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka falënderuar të gjithë burrat dhe gratë, që patën vullnetin, guximin e besimin për të luftuar për liri dhe për të ardhmen e ndritshme të popullit dhe vendit tonë.

“Një kategori të zgjedhur të popullit tonë, kjo ditë i ka gjetur me pushkë në dorë, nëpër frontet e luftës çlirimtare, të gatshëm të vdesin për liri, duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm të rrugëtimit tonë kombëtar, Komandantit Legjendar Adem Jashari”, tha kreu i PDK-së.

Krasniqi ka kujtuar kontributin e çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokëve të tyre në Hagë, të cilët kanë thuajse 4 dekada që luftojnë për Liri dhe për mbrojtjen e saj.

“Këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti. E dimë dhe jemi të bindur, që shumë shpejtë ata do t’i kemi në mesin tonë, prandaj, sot, në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, u dërgojmë urimet dhe të falat tona e të mbarë popullit të Kosovës. Ju themi se ju jeni heronj të luftës dhe të paqes dhe se askush me asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë. Qëndroni të fortë sepse, pa dyshim, dielli do të lind përsëri”, tha ai.

Fjalimi i plotë i kryetarit Memli Krasniqi në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 25 vjetorit të Ditës së Çlirimit:

Të nderuar,

Urime 25 vjetori i Ditës së Çlirimit të Kosovës!

12 qershori i vitit 1999 është nga ato ditët që secili që e kemi jetuar e mbajmë në mend mirë se ku kemi qenë e çfarë kemi bërë atë ditë.

Dhe kjo ditë dikë e ka gjetur jashtë Kosovës, si të dëbuar dhunshëm apo nëpër kampe të refugjatëve, dikë në Kosovë, të frikësuar apo duke u strehuar nëpër male, dikë tjetër gjetiu degdisur nëpër shtete të ndryshme të botës e disa të tjerë edhe nëpër burgje të Serbisë.

Por, një kategori të zgjedhur të popullit tonë, kjo ditë i ka gjetur me pushkë në dorë, nëpër frontet e luftës çlirimtare, të gatshëm të vdesin për liri, duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm të rrugëtimit tonë kombëtar, Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Të nderuar kolegë – meqë Liria, para se gjithash, është vullneti për të qenë përgjegjës ndaj vetvetes, sot, më shumë sesa një fjalim të zakonshëm, e ndjej obligim të bëjë vetëm disa falënderime, të cilat, jo vetëm në këtë 25 vjetor të lirisë, por duhet t’i bëjmë përjetësisht, brez pas brezi e vit pas viti,

për ata burra dhe ato gra, ato familje, të cilat patën vullnetin, guximin e besimin për të marrë përgjegjësi për vetveten, rrjedhimisht për të ardhmen e ndritshme të popullit dhe vendit tonë.

Të respektuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve të luftës tonë çlirimtare – përulje dhe nderim, që bijat dhe bijtë më të mirë ia falët kësaj toke – ia falët Lirisë.

Është e pakët të thuhet ajo që dihet: se pa sakrificën dhe gjakun e tyre – asnjë nga ne nuk do të ishim sot këtu. E as Kosova nuk do të ishte e lirë!

Të nderuar veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Faleminderit!

Faleminderit që pa menduar dy herë vutë jetërat tuaja në rrezik – për një Kosovë pa robëri dhe një qiell pa re, duke i thyer kufijtë e ëndrrave të fëmijëve tanë.

Ju të burgosur politikë, intelektualë, gazetarë, publicistë, mësimdhënës, mjekë e infermierë, minatorë, artistë, sportistë, fermerë, ndërmarrës, të gjithë ju qytetarë të devotshëm të Kosovës – faleminderit për qëndresën dhe kurajon e jashtëzakonshme që keni treguar dekadë pas dekade, duke qëndruar në këmbë – edhe atëherë kur dorëzimi dukej si alternativa e vetme.

Secili në mënyrën tuaj, na keni frymëzuar dhe na keni mbajtë gjallë shpresën për ditën e madhe të lirisë.

Të dashur mërgimtarë – kemi qenë gjatë larg njëri-tjetrit, por më besoni se dashurinë, përkujdesjen, kontributin tuaj të pareshtur e kemi parë dhe ndjerë në secilën ditë të përpjekjeve tona për liri e shtet.

E ndjejmë edhe sot – dhe gëzohemi sa nuk thuhet që pas arritjes së lirisë – ju vazhdoni të na shtyni përpara drejt ambicieve të reja për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë të përbashkët.

Prandaj – faleminderit nga zemra që nuk e harroni asnjëherë Kosovën.

Të dashur shqiptarë që jetoni kudo në Ballkan, në Maqedoni të Veriut, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi – faleminderit që ishit pranë nesh, si vëllezër dhe motra të një kombi e një gjaku, në momentet tona më të vështira.

Shumë e dashur Shqipëri, të dashur bashkëkombas – Kosova është e lirë sot – sepse ju ishit me ne dje.

Prandaj, tash e tutje, gjithmonë bashkë dhe asnjëherë më të ndarë drejt ëndrrave dhe arritjeve të reja.

Të nderuar miq dhe aleatë ndërkombëtarë – shtëpitë tona janë të Zotit dhe të Miqve!

Prandaj, ju jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur në luftën tonë për liri dhe shtet.

Faleminderit secilit ushtar, diplomat e aktivist për kontributin e tyre për lirinë tonë.

Kosova nuk harron. Asnjëherë!

Të dashur qytetarë,

Këto 25 vjet na kanë mësuar se Liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë.

Për të duhet luftuar dhe atë duhet mbrojtur çdo ditë. Për të duhet punuar ndershëm e me zell, që t’ua kalojmë brezave pasues si trashëgim.

E kush e di këtë gjë më mirë se sa ne këtu?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi – dhe shokët e tyre në Hagë – që kanë thuajse 4 dekada që luftojnë për Liri dhe për mbrojtjen e saj.

Që nga protestat studentore e popullore në vitet e 80-ta, në celulat e para të krijimit të UÇK-së në fillimvitet e 90-ta, në luftën e tyre çlirimtare në fundvitet e 90-ta, në përpjekjet e jashtëzakonshme për pavarësi në dekadën e parë të këtij mijëvjecari, lufta e tyre nuk u ndal kurrë.

Sot, jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende.

Këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti.

E dimë dhe jemi të bindur – që shumë shpejtë ata do t’i kemi në mesin tonë, prandaj, sot, në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, u dërgojmë urimet dhe të falat tona e të mbarë popullit të Kosovës.

Ju themi se ju jeni heronj të luftës dhe të paqes dhe se askush me asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë.

Qëndroni të fortë sepse, pa dyshim, dielli do të lind përsëri.

Ju faleminderit!/Arbresh.info

Të ngjashme