Google ADS

Krasniqi tregon arsyejet se pse nuk dëshiron të bëhet ministër

13:59 | 6 Shtator 2017
Arbresh.info

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi thotë se nuk është i interesuar të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, i cili pritet të formohet së shpejti, ku bën pjesë edhe partia e tij.

Krasniqi thotë se nuk do të jetë ministër i Arsimit, ashtu siç  u raportua dhe se në këtë situatë politike, nuk e ka guximin të marrë përgjegjësi  të  jetë udhëheqës i ndonjë dikasteri qeveritar.

“Jam i vetëdijshëm që arsimi ka nevojë vërtetë të ketë një qasje ndoshta jo vetëm të ministrit. Arsimi në Kosovë ka nevojë të ketë një qasje tjetër të gjithë segmenteve të organizuar të shoqërisë sonë. Nuk është në gjendje të mirë, ka probleme. Por, situata politike në të cilën jemi sikur nuk jep shumë hapësirë, për të marrë një përgjegjësi të tillë.  Kështu që ne do të bisedojmë për këtë çështje. ‘Nisma’ në fund të fundit  e ka si Ministri dhe do ta caktojë kandidatin, anëtarin e vet për këtë Ministri. Por unë personalisht nuk jam i interesuar fare të jem pjesë e kabinetit qeveritar… Situata politike në Kosovë, është goxha e ndërlikuar, goxha  e vështirësuar. Dhe unë personalisht pasi kam një përvojë të gjatë, nuk e kam guximin në këtë frymë politike,  të marrë një përgjegjësi të tillë. Kam një karrierë politi ke dhe jam në fund të saj dhe nuk do të dëshiroja ta marrë një përgjegjësi, që nuk e di cili do të jetë fati ndoshta i këtij kabineti qeveritar, i cili po ka vështirësi të konsolidohet”, tha Krasniqi.

Jakup Krasniqi thotë se  tri subjektet më të mëdha politike në vend  më shumë e kanë për zemër pushtetin se sa shtetin.

“Në Kosovë subjektet politike, sidomos tri subjektet e mëdha politike që kanë dalë nga zgjedhjet, më shumë e kanë për zemër pushtetin, se sa shtetin dhe funksionalizimin e institucioneve të shtetit. Jemi vonuar në krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. Po vonohemi dhe në krijimin e Qeverisë, ekzekutivit i cili e ka përgjegjësinë kryesore dhe në ligje dhe në Kushtetutë, për të qeverisur me vendin. Dhe ndoshta ky nivel i komunikimit që është vendosur mes subjekteve politike zgjedhore, ka krijuar këto vështirësi. Dhe natyrisht që kjo gjendje krijon probleme të shumta edhe për institucionin përfaqësuese. Por mbi të gjitha krijon probleme të shumta për ekzekutivin”, tha Krasniqi.

Duke i komentuar marrëveshjet e arritura së fundi mes PAN  dhe AKR-së,  Krasniqi thotë se po të kishte Nisma fuqi politike siç kanë dy partitë tjera, më të cilat është në koalicion, do ta zgjidhnin një rrugë tjetër dhe do të ishin të gatshëm të shkonin edhe drejt zgjedhjeve të reja,  dhe jo të bënin kalkulime të tilla, të cilat ai  i quan jo parimore dhe të pamoralshme.

Sipas tij, Nisma ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë korrekte në këto procese ndërsa  thotë se politika nuk është dashur të bie në nivel të pazareve.

“Politika nuk është dashur të bie në këtë nivel. Politika është dashur, tri subjektet e mëdha zgjedhore, e kam fjalën PAN, LAA dhe VV të bëjnë një debat përmbajtësor. T’i analizojnë të gjitha rrethanat. T’i shikojnë interesat e vendit dhe të qytetarëve të këtij vendi dhe të marrin vendime që është më i arsyeshëm. Do të duhej që partitë politike, këto subjektet politike që kanë dalë nga zgjedhjet ta shikonin më shumë interesin e institucioneve të shtetit, se sa interesin e pushtetit që do ta merrte një subjekt, a një subjekt tjetër politik”, tha Krasniqi.

Në këtë intervistë Krasniqi ka komentuar edhe veprimet e koalicionit LDK-AKR dhe Alternativa dhe Vetëvendosjes, e që ai i sheh si kalkulime me një inat të grumbulluar, që për të është i paarsyeshëm. Ndërkohë që i sheh të panevojshme pengesat nga LDK-ja dhe VV-ja për konstituimin e Kuvendit. Ai thotë që të dy këto parti kanë qenë të pasigurta në marrëveshjet e tyre dhe në numra, kështu që kanë shkuar drejt bllokimit.

“Unë i shoh  krejt kalkulime, me një inati të grumbulluar, që për mua është i paarsyeshëm. Se në politikë qytetarët e Kosovës, e kanë bërë zgjedhjen që e kanë bërë. Kanë zgjedh subjektet i pari i dyti dhe i treti dhe këto subjekte është dashur që pa ndonjë pengesë ta konstituojnë Kuvendin,  si organin përfaqësues dhe ligjvënës, institucionin më të lartë të vendit. Nuk kanë qenë të nevojshme të bëhen këto pengesa në konstituimin e Kuvendit. E pas konstituimit të Kuvendit, do të fillonte të ecte koha. Kështu pa konstituimin e kuvendit koha nuk ec. Dy subjekte tjera politike që po duan të jenë në opozitë, konsideroj se nuk kanë qenë të gatshme të shkojnë në konstituimin e Kuvendit, për shkak se nuk kanë qenë të gatshëm, nuk kanë pasur marrëveshje, nuk kanë pasur program të përbashkët qeverisës, për të provuar dhe mundësinë pas herës së parë, herën  e dytë ata për ta marrë qeverisjen e vendit. Do të thotë ata kanë qenë të pasigurt në marrëveshjet e tyre dhe kanë qenë të pasigurt në numra. Kështu që kanë shkuar drejt bllokimit dhe jo drejt hapjes së mundësive të krijimit të institucioneve të shtetit”, tha Krasniqi.

Sipas tij Kosova realisht është në një ngërç politik dhe se vonesa e krijimit të institucioneve,  ka krijuar pasiguri për  jetën e  qytetarëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme