Google ADS

Krasniqi: Thaçin po e kundërshtojnë vetëm për shkak të problemeve politike nga e kaluara

00:17 | 7 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për zhvillimet e fundit politike, për sa i përket edhe takimeve mes partive politike. Ai tha se muajt e fundit ka pasë shumë takime mes deputetëve, edhe involvim të shoqërisë civile, e në përgjithësi kanë qenë takime të mira e është folur hapur për gjitha qëndrimet e partive.

Krasniqi, në Interaktiv të KTV-së, tha se takimi i fundit u quajt i dështuar sepse disa udhëheqës të partive politike s’morën pjesë, por siç thotë ai “Jo gjithçka ka përfunduar.

“Një takim s’do të thotë që e ka mbyllur këtë pjesë”, tha ai.

Tryezat politike, pret që do të nxjerrin diçka të mirë dhe madje edhe pajtueshmëri.

“Partitë politike duhet të akordohen”, tha tutje.

Se në seancë të Kuvendit nuk po diskutohet asgjë për dialogun, ai tha se e kanë kaluar në tryeza duke e menduar se kjo është një lehtësim.

“S’mund t’ia imponojmë asnjë partie politike, as në pozitë as opozitë pjesëmarrjen në këtë proces, në fazën finale të dialogut, edhe pse është shumë me rëndësi”, tha Krasniqi.

Memli Krasniqi, tha se në këtë proces, nuk bën të përfshihet vetëm koalicioni qeverisës.

Se Thaçi e ka në plan të iniciojë themelimin e një ekipi gjithëpërfshirës për dialogun me Serbinë, Krasniqi tha se duhet të jetë ekip që përfaqëson gjithë akterët politikë në Kosovë, duke përfshirë ekspert nga fusha të ndryshme.

“Përgjegjësinë duhet ta bartin vet liderët politikë, deputetët e Kuvendi”, tha ai.

“Duhet të kemi qasje më të afërt me njëri tjetrin. Kur ka pajtueshmëri, sigurisht do shkojmë përpara”, tha tutje.

Krasniqi tha se opozita po e kundërshtojnë Thaçin, për të qenë kryenegociator, për shkak të problemeve politike në të kaluarën.

Krasniqi foli edhe për zyrtarët që bëjnë ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, që tani është Federica Mogherini, që e kanë përkrahur Hashim Thaçin për kryenegociator.

“Thaçi s’ka mundur t’u kthej letra e t’u thotë s’dua të jem unë udhëheqës. Madje, edhe kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka dashur të jetë negociatori i këtij dialogu”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se duhet të ketë dakordime të plota pavarësisht partive politike. “Kemi humbur pak në formën e diskutimit duke folur vetëm se a duhet të jetë Thaçi apo jo kryenegociator”.

E ka quajtur temë të kotë idenë për mocion nga LDK-ja, sepse thotë se vetëm kanë fjalë e jo vepra. “S’mundemi gjithë me shku në zgjedhje siç duan ata”, tha ai.

Se pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë edhe një amnisti për periudhën e luftës në Kosovë, Krasniqi tha se kjo është temë e ndjeshme, por pret nga partitë të ulen dhe të bisedojnë për temat që duhet të diskutohen.

“Pikërisht, këto janë probleme që do na ndjekin gjithmonë. E ne duhet të ulemi në tryeza për të diskutuar për të gjitha temat. Temat që duhet të trajtohen, duhet të ketë pajtueshmëri mes nesh. Është temë e ndjeshme të flitet për amnistinë”, tha ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme