Krasniqi: Të dy kryetarët e PDK-së më kanë kërkuar që ta bëjnë betimin në Qabër dhe Boletin

14:13 | 2 Qershor 2023
Artiona Citaku

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se i kanë ndihmuar edhe kryetarëve të zgjedhur nga radhët e PDK-së.
Krasniqi tha se PDK vazhdimisht i ka kritikuar si kabinet qeveritar se po lihen anash kryetarët në partia e tyre.

“Kryeministri kronologjikisht e shpjegoi krejt procesin, mirëpo si ministër i linjës që është marrë me organizimin edhe të seancave bashkë me kryetariët e zgjedhur më duhet t’i them veç nja dy tri gjëra të cilat janë mirë të bëhen publike. Unë kam shpresuar që në këtë proces jemi të gjithë bashkë edhe është interes nacional që edhe kryetarët të punojnë prej zyrave të tyre në objekte të komunës, mirëpo edhe asamblistët të japin betimin e tyre në sallën e asamblesë komunale. Në vazhdimësi Partia Demokratike ka kundërshtuar dhe ka kritikuar që ne nuk po koordinohemi dhe që po i anashkalojmë dy kryetarët e zgjedhur nga radhët e partisë së tyre”, tha Krasniqi.

Ai tha se kur një kandidat për kryetar komune zgjedhesh duhet të zhveshet nga uniforma partiake.

“E kam bërë te qartë edhe në takimet me kryetarët edhe në takimet tjera koordinuese me asambleistët që në momentin kur zgjedhesh kryetarë komunë duhet me ra poshtë uniforma partiake. Kam besuar kështu dhe kam vazhduar të punojë me ta, që të organizohen seancat. Të dy kryetarët e Partisë Demokratike kanë ardhë në zyre dhe kanë kërkuar që seancat të mbahen në fshatin Qabër dhe Boletin. Ka qenë kërkesë ekskluzive e tyre që këto t’i bëjmë kështu. Pastaj e pashë që pati interferime dhe dërguan emaila dhe kërkesa që seanca të mbahet në objektet e zyrëve të komunës së Zveçanit dhe Zubin Potokut”, tha ministri Krasniqi.

Ministri tha se ishte kohë shumë e shkurtër që takimet të mbahen në objektet komunale dhe për atë arsye u mbajtën në Qabër dhe Boletin, mirëpo edhe pasi që kishin kërkuar vet kryetarët.

“ Marrë parasysh që ishte kohë shumë e shkurtë nuk mundem takimet konstituive të Kuvendit dhe dhënies së betimit të kryetarëve në objektet e komunës, vendosëm që t’i lejojmë që të mbahen në Qabër dhe Boletin, mirëpo me plotësu edhe kërkesën dhe dëshirën e dy kryetarëve dhe përmbushjen e obligimeve tona, të nesermën e bëmë të mundshme që kryetarët të shkojnë në zyre. Unë të dy kryetarët i kam vizituar në zyre, me të dy kryetarët jemi dakorduar që të punojmë ashtu sikur në Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut, t’i mbështesim në përbërjen e kabinetit e tyre, që qeverisja të mos jetë një etnike”, tha Krasniqi. /arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme