Krasniqi takon eurodeputeten e njohur suedeze, e cila preu flokët në mbështetje të protestave anti-qeveritare në Iran

15:00 | 15 Nëntor 2022
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, ka takuar sot eurodeputeten nga Suedia, Abir Al-Sahlani, e cila në mbështetje të protestave anti-qeveritare në Iran pati prerë flokët e saj gjatë seancës së Parlamentit Evropian duke nxitur një valë të fuqishme reagimesh mbështetëse dhe duke tërhequr vëmendjen e të gjithë botës.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se eurodeputeten Al-Sahlani, ndër tjerash e ka njoftuar me vizionin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha strukturat e partisë.

“Në një takim frymëzues që kisha sot me të në Bruksel, diskutuam për nevojën e fuqizimit të grave në politikë dhe në vendimmarrje, me ç’rast e njoftova me vizionin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha strukturat e partisë. Duke e përgëzuar për punën e saj të palodhshme dhe konsistente në mbrojtje të kauzave të rëndësishme, eurodeputeten Al-Sahlani e falënderova edhe për mbështetjen e saj për aspiratën e PDK-së për anëtarësim në ALDE. Poashtu, e inkurajova që të vazhdojë aktivizmin e saj politik në mbështetje të grave iraniane dhe për fuqizimin e barazisë gjinore kudo në botë”, ka shkruar Krasniqi.

Përveç në Bruksel, lideri i opozitës dhe i PDK-së, Memli Krasniqi në kuadër të vizitës së tij zyrtare gjatë javës do të qëndroj në edhe në Washington. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme