Krasniqi: PSD-ja ka refuzuar pesë ministri për t’u bërë pjesë e Qeverisë Haradinaj

17:52 | 4 Shkurt 2019
Arbresh.info

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka refuzuar pesë ministri për t’u bërë pjesë e Qeverisë Haradinaj.

Sipas tij, PSD-ja nuk ka pranuar të marrë privilegje për vete, “pasi duam ta shfrytëzojmë pozicionin që e kemi për të përfituar qytetarët”.

Duke iu përgjigjur akuzave të shumta se PSD-ja po e mban Haradinajn në Qeveri, Krasniqi në Express Intervistën në KTV ka thënë se “PSD-ja ka pritur më shumë se gjashtë muaj për veprimet e LDK-së dhe VV-së që të ndërmarrin strategji për rrëzimin e qeverisë, por duke parë se kjo s’ka ndodh, PSD-ja ka ndërmarrë strategji më ndryshe”.

“Kemi edhe kritikat dhe akuzat tona ndaj keqqeverisjes, por krahas kësaj kemi vendosur të ndërmarrim veprime që përmirësojnë jetën e qytetarëve sado pak”, ka thënë ai duke shtuar se po të ishte Lista Serbe në Qeveri, votimi i ligjeve s’do të varej nga kushtet e PSD-së. Ai ka shtuar se është hera e parë që për shkak të përfshirjes së PSD-së, Kosova nuk po kushtëzohet nga kushtet e Listës Serbe.

Sipas Krasniqit, PSD-ja ka marrë oferta që të udhëheqë pesë ministri. Megjithatë, nuk ka përmendur për cilat ministri bëhet fjalë duke shtuar se as që i kanë dëgjuar ofertat.

“Minimum i janë ofruar pesë ministri PSD-së që të bëhemi pjesë e qeverisë. Por s’kemi pranuar sepse kemi vendosur të kushtëzojmë për të mirë Qeverinë. Ne do të jemi aty që të ngremë zërin që të na jepet mundësia të vëmë kushte tjera për të mirë. Kërkesa e parë dhe e rëndësishme që e ka ngrit opozita nga fillimi i qeverisë ka qenë shkarkimi i Rikallos. Janë bërë mocione, protesta e në fund doli PSD-ja dhe e realizoi këtë. U bë ligji për dialogun e komisioni ad-hoc për rregullimin e pensioneve. Për tre muaj do të jetë Ligji për Qeverinë që kufizon numrin e ministrive dhe zëvendësministrave”, ka thënë ai. “S’kemi folur për detaje, sepse kemi refuzuar të gjitha ofertat. S’kemi mbërri as te pikat të diskutojmë cilat ministri. Kemi pas pozicionin që të zgjedhim cilat do ministri. Por ne s’duam përfitime për vete, por politika për të mirën e qytetarëve”.

“Pozicioni i Qeverisë është i brishtë dhe çështja që e kemi thënë vazhdimisht është se PSD-ja është subjekt i paanashkalueshëm as nga opozita e as nga pozita. Politika në Kosovë varet në masë të madhe nga PSD-ja. Kemi ndërmend kur të tjerët varen nga ne të shfrytëzojmë dhe të ecim përpara për të mirë për qytetarët. Ka pas synime për tërheqje të ligjit për paga sepse ka pritur të ngjallë reagimet. Kushti jonë e ka rikthyer dhe e ka obliguar qeverinë të miratojë Ligjin për Pagat”, ka shtuar në fund ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme