Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.
Kryetari Krasniqi, në një konferencë për media, tha se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.
“Unë, sot jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën, kandidatin tonë për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Njeriu që do ta ringjallë ekonominë tonë, njeriun që do ta udhëheqë ekipin më të denjë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Bedriu është i dëshmuar, është i provuar, është i përkushtuar dhe i gatshëm. Bedri Hamza është njeriu i duhur për këtë detyrë. Arritjet e tij në të kaluarën si Ministër i Financave, si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovë, por edhe të arriturat e tanishme si Kryetar i Mitrovicës, flasin më së miri për punën e tij. Në secilën detyrë publike, Bedriu ka shkëlqyer dhe ka lënë prapa rezultatet të mëdha. Ai ka dëshmuar se gjithmonë i ka shërbyer të mirës së përbashkët dhe është siguruar që askush të mos mbetet prapa”, tha ai.
Duke kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, sepse është dëshmuar se çdo ditë e Qeverisë Kurti në pushtet është ditë e humbur për Kosovën, Krasniqi tha se modelit aktual të udhëheqjes nga një njeri, PDK do t’i vë përballë modelin e udhëheqjes nga një ekip.
“Ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve është dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe gjendja po përkeqësohet dita-ditës. Megjithatë, të dashur bashkëqytetarë, sot nuk është koha për dëshpërim apo dorëzim. Është koha për veprim, për bashkim dhe për vendosmëri të palëkundur për të mundësuar ringjalljen e Kosovës, rikthimin e besimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në këtë fushë do të jetë edhe beteja për qeverinë e re. Për ta ndaluar rënien e mëtejme dhe për të sjellë prosperitet për të gjithë, pa dallim”, shtoi ai.
Kryetari Krasniqi tha se një detyrë e tillë artë kërkon qëndrueshmëri, përkushtim, transparencë, drejtësi, por mbi të gjitha përvojë dhe kompetencë.
“Kjo detyrë kërkon në ballë një shërbyes publik të dëshmuar, me përvojë, dhe të përkushtuar për të rikthyer Kosovën në binarët e zhvillimit. Një udhëheqës që kurrë nuk është lëkundur në besnikërinë dhe angazhimin e tij ndaj shtetit tonë. Një lider që u ofron qytetarëve para-shikueshmëri dhe siguri. Dhe Kosova e ka një personalitet të tillë”, potencoi ai.
Krasniqi tha se ky vendim nuk nënkupton se ai si Kryetar i partisë po e shmang një përgjegjësi, por sot Kosova është në udhëkryq mbi të gjitha për shkak të ekonomisë së rënduar e të stagnuar, theksoi se pesha e vendimeve tona definon fatin e saj.
“Gjithmonë e kam parë veten si një lider politik i cili mundëson frymën e bashkëpunimit dhe suksesit, pa konsideruar ambicien personale si prioritet. Sepse, sot nuk është koha e ambicieve personale. Sot nuk është koha e protagonizmave liderist. Sot është koha për të mbledhur në një vend të gjitha potencialet e vendit tonë, për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re, kompetente, vizionare dhe që mendon për secilin qytetar. Një qeveri që udhëheqë me modesti e pa arrogancë, me frymë ekipore e gjithëpërfshirëse. Kjo është mënyra se si unë e perceptojmë shërbimin publik. Ne jemi këtu për të shërbyer, jo për të na shërbyer. Dhe në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri. Unë dhe PDK jemi të përkushtuar për këtë qëllim. Kjo është arsyeja pse sot e shpalli Bedri Hamzën si kandidatin tonë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Përtej PDK-së, Bedriu na bashkon të gjithëve. Dhe Bedriu do të punojë për të gjithë. Unë dhe të gjithë ne në PDK, e jam i bindur se edhe shumë qytetarë, përtej dallimeve politike, do të punojmë shumë për t’u siguruar se Bedri Hamza do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, theksoi kryetari Krasniqi./Arbresh.info
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...