Krasniqi: Procesi i Berlinit, platformë e mirë për një zhvillim ekonomik

10:25 | 22 Maj 2024
E.K

Komisioni për Integrim Evropian, në bashkëpunim me GIZ-in, kanë organizuar tryezën me temën “Rritja e integrimit rajonal: Roli i Kosovës në Procesin e Berlinit dhe në kryesimin e CEFTA-s”.

Me këtë rast, Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian tha se Kosova është e përkushtuar që të zbatojë reformat në mënyrë që të përfitojë shteti e, po ashtu, edhe rajoni.

Me këtë rast, ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian që t’i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.

“Si kryetare e komisionit kam pasur privilegjin të dëshmoj hapat e rëndësishëm që ka bërë Kosova drejt Integrimeve Evropiane. Procesi i Berlinit i nisur në vitin 2014 përfaqëson një platformë të rëndësishme për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Kosova ka qenë pjesëmarrëse aktive në procesin e Berlinit dhe ne mbesim të përkushtuar për promovimin e rritjes ekonomike. Përfshirja e Kosovës tregon gatishmërinë tonë për të punuar me fqinjët tanë. Kosova në vitin 2025 ka nderin të marrë kryesimin e marrëveshjes së CEFTA-s. Kosova do të jetë e përkushtuar në rritjen e lehtësimit të tregtisë dhe nxitjen e një tregu më konkurrues dhe më të integruar. Ne jemi të fokusuar në zbatimin e reformave që jo vetëm do të përfitojë ekonomia jonë por edhe do të kontribuoj në prosperitetin e rajonit”, tha ajo.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, Zef Dedaj, deklaroi se Kosova, tashmë, ka dizajnuar politikat e nevojshme, të cilat janë në harmoni me ato të Bashkimit Evropian.

Andaj, ai theksoi se Kosova do t’i zbatojë të gjitha obligimet në mënyrë profesionale, teksa shtoi se vendi po perfomon shumë mirë krahasuar me shtetet e rajonit.

“Padyshim se kjo do të jetë sfiduese, por Kosova ka bërë një eksperiencë të jashtëzakonshme. Duke e ditur rëndësinë e tregut dhe Samitit të Berlinit, Kosova menjëherë kishte filluar që të dizajnojë politikat e nevojshme, që janë në harmoni me politikat ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Unë insistoj dhe mendoj që Kosova ka qenë në disa fusha shteti më profesional në përmbushjen e obligimeve që kanë dalë krahasuar me vendet tjera të CEFTA-s. Ka edhe shumë raporte tjera ku Kosova performon shumë mirë dhe është shumë më mirë e renditur se shtetet e rajonit. CEFTA është një mekanizëm i domosdoshëm për Kosovën, sepse neve na obligon ti zbatojmë obligimet që kanë dalë nga Samiti i Berlinit”, shtoi ai./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme