Google ADS

Krasniqi pret në takim Abazoviqin, flasin për emigrimin e të rinjve dhe marrëveshjen e Ohrit

17:18 | 14 Prill 2023
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur të premten në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe delegacionin e tij, të cilët po qëndrojnë për vizitë treditore në Kosovë.

Krasniqi ka thënë se bashkë kanë diskutuar për raportet e mira fqinjësore mes dy shteteve dhe mundësitë e reja të thellimit të këtij bashkëpunimi.

Ata kanë biseduar edhe për marrëveshjen që u nënshkrua mes Abazoviqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shfrytëzimin e hapësirës ajrore.

“Marrëveshja e nënshkruar sot për shfrytëzimin e hapësirës ajrore është një lajm i mirë dhe urova që ajo të zbatohet sa më parë. Si anëtare e NATO-s dhe shtet që ka bërë progres në procesin e anëtarësimit në BE, nga kryeministri Abazoviq kërkova mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në rrugën e përbashkët drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se Abazoviqin e ka informuar edhe për zhvillimet me rëndësi në Kosovë, përfshirë emigrimin masiv të të rinjve kosovarë dhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila, “për PDK-në mbetet e pamjaftueshme dhe që nuk arrin qëllimet tona shtetërore”.

“Në fund të takimit, me kryeministrin Abazoviq diskutuam edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në fushën e turizmit dhe krijimit të kushteve optimale për qytetarët e të dy vendeve gjatë vizitave dhe pushimeve vjetore”, ka përfunduar ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme