Google ADS

Krasniqi për vdekjen e Sabri Popajt: Një shqiptar i rrallë, që dhembjen personale e ktheu në triumf e frymëzim kombëtar

23:01 | 21 Nëntor 2024
E.G

Ka vdekur Sabri Popaj, nga fshati (Fortesë) ish-Bellacerk e komunës së Rahovecit.

Ai njihet për dëshminë e bërë në vitin 2003 kundër “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviq.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar duke thënë se do të mungohet dhe kujtohet përgjithmonë, shkruan Arbresh.info.

Ai tha se me 25 mars të vitit 1999, në masakrën e Fortesës së Rahovecit, Sabri Popajt ia ekzekutuan dy djemtë e mitur.

“Lamtumirë Sabri Popaj!
Me 25 mars të vitit 1999, në masakrën e Fortesës së Rahovecit, Sabri Popajt ia ekzekutuan dy djemtë e mitur. Përveç Shëndetit dhe Agonit, në po atë masakër, atij ia vranë edhe vëllaun, nipat e shumë kushërinj e fqinj. Megjithatë, disi, ai kishte gjetur kurajon të bëhej i fortë, duke i varrosur secilin prej tyre gjatë natës.
Që nga ajo ditë, daja Sabri, siç e thërrisja, ishte shndërruar në një testament të gjallë të dhembjes e qëndrueshmërisë së shpirtit tonë shqiptar. Forcën ai e gjeti në luftën për drejtësi, të cilën e kërkoi për djemtë dhe familjarët deri në frymën e fundit. E kërkoi edhe në Hagë, në dëshminë e tij monumentale kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Sabri Popaj ishte një shqiptar i rrallë, që dhembjen personale e ktheu në triumf e frymëzim kombëtar. Një patriot e veprimtar, atdhetar e luftëtar i lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Daja Sabri, ti ike pa e marrë atë që të takonte mbi gjithçka: një copë drejtësi hyjnore. E me gjithçka që kemi, pjesën tjetër të rrugës në këtë betejë për të drejtën tonë historike, do ta bëjmë ne të tjerët që na le pas.
Lamtumirë, njeri i mirë! Do të na mungosh dhe do të të kujtojmë përgjithmonë!”, ka shkruar ai./Arbresh.info/

Të ngjashme