Krasniqi për aplikimin e Kosovës në KiE: Si opozitë do ta mbështesim këtë proces

15:27 | 12 Maj 2022
A. B.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka quajtur hap të duhur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i duhur për të cilin s’do të duhej të kishte pasur hamendësim dhe të cilin e kemi kërkuar të ndodhë sa më parë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se e përshëndesin këtë nismë dhe si opozitë do ta mbështesin në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces.“E përshëndesim këtë nismë dhe si opozitë do ta mbështesim në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces, në mënyrë që kjo objektivë shtetërore e shoqërore të realizohet sa më parë”, u shpreh Krasniqi.

Ai ka shtuar se ky proces i hap perspektivë të re institucioneve të Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, jo vetëm që e ofron Kosovën me vlerat demokratike evropiane, por i hapë perspektivë të re dhe shumë të nevojshme institucioneve të Kosovës, qytetarëve dhe shoqërisë tonë në përgjithësi”, ka shkruar Krasniqi.

Kujtojmë se, sot e enjte, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla ka aplikuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme