Krasniqi: PDK-ja do të heqë sanksionet e BE-së në disa muaj, kam lobuar personalisht në Bruksel

22:45 | 19 Dhjetor 2024
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se me një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja, masat sanksionuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen brenda disa muajve.

Krasniqi ka treguar se ka lobuar personalisht në Bruksel, për të kërkuar heqjen e masave, një detyrë që, sipas tij, Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbushë.

Kreu i PDK-së kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e veprimeve konkrete në këtë drejtim.

“Unë sot iu them me bindje të plotë dhe iu zotohem: me një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja, për disa muaj do t’i heqim masat sanksionuese. Unë personalisht kam lobuar që nga momenti kur ato janë vendosur.

Nëse (ish-komisionari për Zgjerim i BE-së) Várhelyi, ka qenë një nga personat kryesorë që ka shtyrë përpara këto masa. As Kurti, as Gërvalla, as Bislimi dhe asnjë zyrtar tjetër i Qeverisë nuk e ka takuar për t’i kërkuar heqjen e masave. Vetëm unë e kam takuar. Nuk ishte përgjegjësi e imja, pasi unë jam në opozitë. Por unë e kam marrë këtë iniciativë, kam shkuar në takim dhe kam qëndruar një orë në zyrën e tij. I kam thënë se duhet të ndihmojë për heqjen e masave, sepse ato janë një gabim, dhe unë jam i bindur për këtë.

Besoj se me përbërjen e re të Komisionit Evropian dhe me ndryshimet në Këshill, PDK-ja do të luajë rolin kryesor në heqjen e masave sanksionuese të BE-së”, ka thënë Krasniqi në Debat Plus.

Të ngjashme