Krasniqi ngushëllon familjen Ademaj në Pejë, pas humbjes së dy familjarëve si pasojë e vërshimeve

14:10 | 25 Qershor 2023
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, nënë e bir, që humbën jetën mbrëmë në Pejë, si pasojë e vërshimeve.

Krasniqi tha se një moment të rëndë si ky, me zemër e mendje, është pranë familjes së viktimave.

“Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç. Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka shkruar Krasniqi.

Të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë, derisa ka kërkuar të ofrohet mbështetje për tejkalimin e kësaj situate në Pejë.

Tutje ai tha se e rëndësishme është që i gjithë vendi të solidarizohet me qytetin e Pejës.

“Vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë, për të cilët uroj shërim të shpejtë. Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate”, ka shtuar ai.

Krasniqi e ka ftuar edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe të shfrytëzojë të gjitha kapacitetet e saj logjistike e materiale.

“Ftoj edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe të shfrytëzoj të gjitha kapacietet e saj logjistike e materiale, në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e kësaj fatkeqësie”, ka shkruar ai në Facebook./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme