Google ADS

Krasniqi në Hagë: Çdo ditë e më tepër jemi të sigurt se dielli do të lind përsëri

17:47 | 17 Nëntor 2024
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka vizituar në Hagë, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, në një ditë simbolike që shënon 30-vjetorin e themelimit zyrtar të UÇK-së.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi tha se fati e deshi që pikërisht sot, në këtë përvjetor historik, të jetë pranë dy simboleve të ndritura të luftës sonë për liri dhe pavarësi, shkruan Arbresh.info.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, përkrah shumë patriotëve të tjerë, kanë sakrifikuar gjithçka për të bërë të mundur që Kosova të marrë frymë lirie,” ka theksuar Krasniqi.

Në mesazhin e tij, kryetari i PDK-së vlerësoi qëndrueshmërinë dhe dinjitetin e Thaçit dhe Veselit, duke i cilësuar ata si mbrojtës të vlerave të luftës së popullit të Kosovës për çlirim.

Ai shtoi se forca e tyre frymëzon qytetarët dhe liderët e Kosovës që të vijojnë punën për një shtet më të zhvilluar dhe më të fortë.

“Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë.”, ka shkruar ai.

Krasniqi shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e Kosovës dhe nënvizoi mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë ata që sot përballen me sfida të mëdha.

“Në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë UÇK-në dhe të gjithë ata që bënë sakrificat më të mëdha për lirinë tonë, qëndrojmë pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe çdo patrioti që barti flakën e luftës çlirimtare.”, shtoi ai.

“Dielli do të lind përsëri,” përfundoi ai, duke theksuar besimin në drejtësinë dhe të ardhmen e ndritur të Kosovës.

Të ngjashme