Krasniqi i kërkon Kurtit ta sjellë marrëveshjen e vitit 2013 në Kuvend për shfuqizim

12:25 | 9 Shkurt 2023
Emir Abduramani

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i është drejtuar kryeministrit Kurti duke i thënë se ai po e interpreton ndryshe marrëveshjen dhe “po i qet mjaltë këtij ilaçi të hidhur”.

Para deputetëve të Kuvendit, Krasniqi tha se Kurti s’duhet të frikësohet as nga Escobari e as nga Lajcaku.

“E konfirmove kryeministër Kurti atë që e thash më herët. Shumë mirë me stilin tënd ta interpretosh marrëveshjen. Qoftë me dyer të mbyllura dhe të hapura sjelle marrëveshjen si është. Kush të ka frikësu mos ta sjellësh marrëveshjen, Escobari apo dikush tjetër? Ata nuk janë më të rëndësishëm se qytetarët që ta kanë dhanë votën dhe të kanë bë kryeministër. Pse me duer të mbyllura, fol hapur”, ka thënë Krasniqi.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga kryeministri që ta sjellë marrëveshjen e vitit 2013 në Kuvend, dhe me votat që i ka ta shfuqizojë atë, teksa ka premtuar edhe votat e deputetëve të PDK-së.

“Marrëveshja e 2013 këtu është votuar. Sjelle edhe diskutojmë. Po ashtu hajde bjere edhe marrëveshjen e 2013 edhe po e shfuqizojmë, i ke 60 e sa deputetë edhe ne 20 t’i jepim ne. Këtë marrëveshje a ke me sjellë në Kuvend për ratifikim, në këtë Kuvend a keni me ratifiku. Këta deputetë i jepi marrëveshjes peshë, sepse i përfaqësojnë qytetarët. Nëse nuk ka njohjen në qendër je duke diskutuar kot, atëhere hiq mos vazhdo sepse nuk na duhet.”, ka deklaruar Krasniqi./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme