Krasniqi: Besoj që me 24 gusht zgjidhet problemi, por mund të ndodhë edhe kjo befasi!

20:38 | 17 Gusht 2017
Arbresh.info

Kanë mbetur edhe 1 javë kur deputetët e Republikës do të vendosin nëse do t’i dhënë apo jo fund bllokadës së krijuar qe një kohë. 

Derisa praninë në këtë seancë e kanë konfirmuar të gjitha partitë, ndërkaq LDK dhe VV kanë deklaruar se nuk do e votojnë kandidatin për kryeparlamentar nga PAN-i, Kadri Veselin.

I kontaktuar nga “Indeksonline”, kryetari i Këshillit Kombëtar nga NISMA, Jakup Krasniqi u shpreh se vendi është në krizë politike, morale e kulturore. Ai thotë se vendin nga kjo gjendje do e nxirrte dashuria për kombin, por se njerëz të tillë në vendin tonë mungojnë.
Në seancën e 24 gushtit do duhej të ketë zgjidhje por duke u bazuar në pabesinë e politikës, sipas Krasniqit, nuk mund të ketë siguri për këtë gjë.

“Nuk ka asnjë dyshim, vendi ynë është në një krizë politike, morale e kulturore. Nga kjo gjendje vendin do ta nxirrte: dija, dashuria e zemërgjerësia e njerëzve të urtë, të përkushtuar e të përgjegjshëm për kombin e shtetin. Por njerëzit me këto cilësi nuk janë në institucionin përfaqësues, ata o janë larguar o janë lënë në margjinat e jetës politike, mbase ndonjëri edhe është heshtur me ndonjë pozitë mjerane për individin a ndonjë familjar të tij/tyre”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi theksoi se vendin në këtë bllokadë e kanë dërguar që të tri subjektet zgjedhore të shqiptarëve pa asnjë dallim.

I pyetur se a pret që Kryetari i Kuvendit të zgjidhet në seancën e së enjtes, Krasniqi tha se kjo gjë as nuk do duhej të ishte pengesë, pasi që i njëjti para tri viteve u zgjodh me mbi 70 vota.

“Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit as që do të duhej të ishte pengesë, pasi i njëjti para tri viteve është zgjedhur me mbi 70 vota. Përqendrimi do të duhej të ishte aty ku është fuqia e pushtetit faktik e juridik – të Qeveria e Kosovës. Aty ku është fuqia reale e pushtetit, aty ku zgjidhen problemet reale te qytetarëve. Aty ku vendit i hapen shumë shtigje” shtoi tutje Krasniqi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme