Kraniqi: Anëtarësimi në BE me Asociacion është kati i parë i ndërtesës si model i Bosnjës

23:54 | 9 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Njohësi i zhvillimeve politike në Bruksel, Ekrem Krasniqi, ka folur rreth takimit të fundit që pala kosovare ka zhvilluar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrel.

Krasniqi thotë se pjesa e përplasjes mes Kurtit e Borrell nuk ka qenë aspak tërheqëse, ndërsa pjesa më interesante e deklaratës ishte ajo e Kurtit, ku sipas tij, tha se anëtarësimi në BE nuk ka alternativë për Kosovën.

Ai thotë se shoqëria kosovare qysh nga java e ardhshme duhet të mendoj seriozisht dhe të bëjë një plan aksioni për të jetuar edhe pa anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sepse sipas tij, edhe Kosova edhe Serbia kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket marrëveshjes.

“Ne duam që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës ndërsa ajo e para s’e ka ndërmend ta njeh pavarësinë e Kosovës, apo do duhej ndoshta që kryetari i Serbisë ta vë kokën në cung e dikush tjetër të nënshkruaj për të”, është shprehur Krasniqi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, ai thotë se Kosova nuk ka nevojë që të rrezikojë që për hir të anëtarësimit në BE ta themelojë Asociacion e Komunave me Shumicë Serbe, pasi kjo sipas tij, do nënkuptonte për Kosovën që do të mbetej pa gjymtyrë dhe të përsëritej situata e Bosnjës.

“Në anëtarësimin në Bashkimin Evropian me lloj të asociacionit i cili është kati i pari i ndërtesës si model i Bosnjës, nuk ia vlen”.

“Kurti ka thënë se Kosova mund të jetojë edhe pa njohjen e Serbisë. Nëse ai qëndrim i Kurtit është i tillë, kjo lidhet me opsionin e dytë, pra atë që shoqëria kosovare duhet të fillojë të mësohet të jetojë pa anëtarësim në BE”, është shprehur Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Krasniqi thotë se synimi kryesor i BE-së është që në Ballkan të ketë lloj paqeje dhe të mos kërcasin kallashët, teksa shtoi se shqiptarët po e trajtojnë vetën si lypës.

“Synimi kryesor i BE-së është që të ketë një lloj paqe. Se kush fiton më shumë e kush humbë, për BE-në është terciare, por ata janë të interesuar që këtu të mos kërcasin kallashët më, e në këtë betejë kush del më i dëmtuar, për ta është më pak e rëndësishme”.

“Shoqëria shqiptare po e trajtojnë vetën në formën e lypësit. Përderisa kombi shqiptar e konsideron vetën pa asnjë sekret se është lypës, ne po e konsiderojmë vetën si rast humanitar”, ka thënë ai.

Të ngjashme