Në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në Podujevë e Mitrovicën e veriut, do të organizohen në rrethana specifike për shkak të pandemisë.
Zyrtari për informim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se KQZ-ja për herë të parë po përballet me një situatë pandemie.
Megjithatë, sipas tij, kjo nuk e pengon procesin zgjedhor, vetëm se duhet vepruar sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të institucioneve përkatëse.
“Natyrisht se këto janë zgjedhje në rrethana më specifike, për shkak se jemi në kohë pandemie, çka do të thotë se KQZ-ja, përballet për herë të parë me një situatë të tillë, sikurse edhe institucionet tjera nëpër botë që merren me organizim të zgjedhjeve”.
“Ashtu siç na obligon dekreti i presidentit të Republikës që t’i organizojmë zgjedhjet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse në pajtim komisioni qendror i zgjedhjeve do të komunikojë me këto institucione për të marrë këshillat dhe udhëzimet, por edhe rekomandimet sesi të veprojmë si institucion për të organizuar procesin zgjedhor edhe sa i përket këtyre çështjeve”.
Sipas tij, KQZ-ja ka vendosur për të certifikuar një listë të re të votuesve ku do të përfshihen të gjithë qytetarët të cilët mbushin 18 vjet.
“KQZ-ja ka vendosur për të certifikuar një listë të re të votuesve për zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Podujevës sepse tashmë kemi një datë të re për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Pra në këtë listë të votuesve do të përfshihen edhe të gjithë shtetasit me të drejtë vote të cilët mbushin 18 vjeç qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, në këtë rast më 29 nëntor”.
“Pra nuk do të jetë lista e votuesve e certifikuar për zgjedhjet e 15 marsit por do të kemi një listë të re të votuesve ku do të përfshihen të gjithë qytetarët të cilët e fitojnë këtë të drejtë mbushin 18 vjet. Natyrisht KQZ-ja do të certifikojë listën përfundimtare të këtyre zgjedhjeve pak ditë para mbajtjes së tyre”.
Tutje, ai tregoi edhe për periudhën e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë vendit që fillon me datën 30 tetor dhe përfundon më 7 nëntor.
“Meqenëse KQZ-ja do të certifikojë një listë të re votuesish, sepse data e zgjedhjeve ka ndryshuar dhe sigurisht se ka shtetas që kanë arritur ose arrijnë moshën 18 vjet qoftë edhe më 29 nëntor, edhe procesi i votimit jashtë vendit do të zhvillohet nga fillimi për komunën e Podujevës. Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë vendit fillon më 30 tetor dhe përfundon më 7 nëntor”.
“Edhe votuesit që kanë qenë të regjistruar më herët dhe të cilët kanë dërguar pakon me fletëvotim përmes postës, duhet të regjistrohen dhe të dërgojnë sërish pakon me fletëvotim. Kjo periudhë nga 30 tetor deri me 7 nëntor është periudha edhe për regjistrimin e votuesve jashtë vendit për komunën e Mitrovicës të veriut”.
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?